Kukës: Unicef Pajis Me Bibliotekë 20 Shkolla
KUKËS, 16 Qershor /ATSH-R.Hoxha/- Njëzet shkolla në rrethin e Kukësit janë pajisur të mërkurën me biblioteka, në kuadër të një projekti të UNICEF që synon të rrisë interesin e fëmijeve për librin.
"Ky projekt synon të rrisë kulturën e leximit te të rinjtë në stadin e sotëm kur ka edhe burime të tjera informacioni, që gjithsesi nuk mund ta zevendësojnë librin", u shpreh në fjalën e tij ambasadori i UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm, gjatë ceremonisë së dorëzimit të bibliotekave.
"Sot kemi sjell 20 biblioteka për shkollat e rrethit të Kukësit. Kjo është vetëm faza e parë, pasi me të tilla biblioteka do të pajisen shumë shpejt edhe shkollat e rrethit të Hasit e të Tropojës", u shpreh Palm.
Sipas tij, projekti i UNICEF-it është shtrirë në gjithë Shqipërinë dhe në përfundim të tij synohet që në gjithë vendin të pajisen me biblioteka 1500 shkolla.
Palm tha se shkollat kanë dhe shumë probleme të tjera dhe në këtë drejtim po punohet me donatorët për ta shtrirë ndihmën në procese të tjera të sistemit të arsimit.
Aktualisht nga 57 shkolla që ka rrethi i Kukësit, në 32 prej tyre janë ngritur bibliotekat shkollore me një fond që varion nga 500-2000 libra./ch/