English

Mbretëria E Vendeve Të Ulëta Mbështet Fushatën Për Përmirësimin E Mjedisit Në Shqipëri

TIRANË, 16 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Mbretëria e Vendeve të Ulëta mbështet fushatën për përmirësimin e mjedisit në Shqipëri, tha sot Ambasadori hollandez në Tiranë, Henk G. C. Van Den Dool, gjatë tryezës së rrumbullakët "Mekanizmat e Pjesëmarrjes Publike në draft-ligjin kuadër: Për Mbrojtjen e Mjedisit", organizuar në Hotel Rogner, në kuadër të Fushatës Kombëtare për Ndryshimin në Mjedis "Vepro tani!". Kjo fushatë mbështetet nga Milieukontakt International, Zyra Shqipëri dhe Ambasada e Vëndeve të Ulta, në bashkëpunimim me Lëvizjen BELLS-Koalicioni Kombëtar për Mjedisin. Ndërsa vlerësoi pjesëmarrjen publike në vendimmarrje mjedisore mjaft të rëndësishme, Ambasadori Van Den Dool theksoi se politikanët e shoqëria civile duhet të ndërmarrin hapa në këtë aspekt. Emërtimi i fushatës "Vepro tani", sipas tij, është fjala e duhur për ndërmarrjen e veprimeve konkrete. Valbona Mazreku, përfaqësuese e Milieukontakt International, Zyra Shqipëri, theksoi sa i takon pjesëmarrjes publike, se është punuar që edhe organizatat lokale në vende dhe komunat më të largëta të Shqipërisë të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes mjedisore. Kjo, sipas saj, pasi nuk janë vetëm organet qendrore që hartojnë politika për mbrojtjen e mjedisit, por janë dhe ato të pushtetit vendor që hartojnë politikat e tyre, si dhe plane veprimi për mjedisin. Ajo vlerësoi punën e mirë në drejtim të hartimit të ligjeve, duke shtuar se "aktet nënligjore, apo proçedurat e zbatimit të ligjit jane pjesa që ndonjëherë nuk njihet nga ana e qytetarëve, apo shoqëria civile, për ta patur atë si një mekanizëm zbatimi". Për këtë arsye, proçesi i njohjes dhe informimit të publikut me këto projektligje është mjaft i rëndësishëm. Juristi mjedisor Enio Haxhimihali u ndal tek nenet përkatëse të projektligjit, që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen publike, duke përcjellë dhe rekomandimet përkatëse. Sipas Konventës Aarhus, në të cilën Shqipëria është palë, pjesëmarrja publike është një mekanizëm në duart e publikut për të forcuar të drejtën e tij të jetojë në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqënien e tij. Pjesëmarrja publike në vendimarrjen për çështje mjedisore konsiderohet si shkalla më efikase për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, ndërkohë projektligji për mbrojtjen e mjedisit synon pikërisht mbrojtjen e mjedisit në një nivel të lartë. Sipas projektligjit, "çdo person ka të drejtë t'i jepet në kohë informacion mbi gjendjen e mjedisit, ndotjen e tij dhe masat e marra, në përputhje me këtë Ligj, legjislacionin të cilit ai i referohet si edhe Ligjin Nr. 8503, datë 30.6.1999 'Për të Drejtën e Informimit në lidhje me Dokumentet Zyrtare'". Ndër aspektet pozitive të këtij projekt ligji, sipas ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, është përfshirja për herë të parë të disa parimeve si, Parimi i Zhvillimit të Qëndrueshëm, i Parandalimit dhe Përkujdesjes Paraprake, i Ruajtjes së Pasurive Natyrore, i Zëvendësimit dhe Kompensimit, i Qasjes së Integruar, i Përgjegjësisë së Përbashkët dhe Parimi Ndotësi Paguan, të cilat nuk kanë qenë më parë pjesë e legjislacionit tonë mjedisor, duke rritur ndjeshëm shkallën e përafrimit me legjislacionin evropian. Këto parime janë të domosdoshme për të siguruar një mirëmenaxhim për mjedisin në të ardhmen europiane të vendit. Ndërkohë, MMPAU e ka parë të gjithë procesin e hartimit të këtij projektligji, sikundër dhe të gjithë paketës mjedisore që do të përfundojë shumë shpejt, në bashkëpunim edhe me projektin INPAEL, me vëmendjen maksimale ndaj objektivave të Qeverisë, në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe me transparencën e duhur me gjithë grupet e interesuara dhe publikut të gjerë. /a.ke/
KOMENTE