English

Mediu: Kuvendi Të Shprehet Me Një Rezolutë Për Çështjet Mjedisore

- Sipas ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, "ka ardhur koha për të treguar një shprehje vullneti politik të qartë për çështjet mjedisore" - TIRANË, 16 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, kërkoi sot nga Kuvendi qe "të shprehet me një rezolutë për çështjet mjedisore në një gjykim të përbashkët të të gjithë politikës shqiptare, se si e konceptojmë një Shqipëri ekologjike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, problemet sociale të lidhura me ato mjedisore". I pranishëm në tryezën e rrumbullakët "Mekanizmat e Pjesëmarrjes Publike në draft-ligjin kuadër: Për Mbrojtjen e Mjedisit", organizuar në Hotel Rogner, Mediu tha se "ka ardhur koha për të treguar një shprehje vullneti politik të qartë që nuk mund të ngelet vetëm në strategjinë ndërsektoriale, por kërkon vullnet politik të qartë të institucionit kryesor të vendit, që është Kuvendi, për të diskutuar me preokupimin e përbashkët, edhe me mendimin e gjykimin e shoqërisë civile, për të parë që çdo politikë nuk mund të tejkalojë interesin e përbashkët; ruajtjen dhe forcimi i mjedisit". Sipas tij, "ne duhet të krijojmë një aleancë dhe nuk duhet të kemi diferenca sa i përket çështjeve mjedisore. Çështjet dhe rrisqet mjedisore i tejkalojnë ndarjet politike, debatet e përditshme, ato janë çështje të shqetësimit tonë të përbashkët". "Sfida për një mjedis të shëndetshëm kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve, që duhet të veprojnë në të njëjtin kah dhe me të vetmin synim: arritjen e standarteve bashkëkohore mjedisore, në të mirë të cilësisë së jetës dhe një zhvillimi që gjeneron benefite afatgjata dhe jo vetëm ekonomike", theksoi ministri Mediu. Duke u ndalur tek projektligji "Për mbrojtjen e Mjedisit", ai tha se "një shqetësim aktual për zbatimin e legjislacionit në fuqi është pikërisht mbivendosja apo paqartësia mbi kompetencat e aktorëve të ndryshëm, cka con në tolerim të shkeljeve mjedisorë apo më keq akoma, shpërfillje të tyre". Ndërkohë, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe paekuivoke kompetencat e të gjithë aktorëve kryesorë që marrin pjesë në monitorim, duke bërë të mundur kështu përcaktimin drejt të rolit të gjithsecilit. "Elementi etik i këtij ligji për të parandaluar veprimtaritë e dëmshme mjedisore është i ndërthurur mjaft mirë me elementin ndëshkues për atë që e dëmton", nënvizoi ministri i Mjedisit, sipas të cilit, në këtë projekt-akt janë përcaktuar të gjitha instrumentat e nevojshëm për rregullimin e këtyre përgjegjegjësive dhe garantimin e rehabilitimit të dëmtimeve mjedisore. "Transpozimi i Direktivës Komunitare mbi Përgjegjësinë Mjedisore, ku përshkruhet në mënyrë të detajuar përgjegjësia për dëmtimin e mjedisit, bën të mundur edhe qartësimin e detyrimeve që kanë operatorët për rehabilitimin e mjedisit të dëmtuar dhe instrumentet e nevojshme për rregullimin e këtyre përgjegjësive", theksoi Mediu. /a.ke/
KOMENTE