Tiranë, 16 Qershor, NOA – Projektligjii ri “Për mbrojtjen e Mjedisit” përveçse e përafron legjislacionin tonë mjedisor me atë evropian, do të ndihmojë në mirë-menaxhimin e faktorëve mjedisorë në të ardhmen.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, gjatë tryezës së rrumbullakët, në kuadër të “Fushatës Kombëtare për Ndryshimin në Mjedis.
Bashkë me organizatorët e këtij takimi, në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe ambasadori i Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Van den Dool, deputetë, specialistë të mjedisit, përfaqësues të shoqatave për mbrojtjen e mjedisit etj.
Duke i falënderuar për organizimin e një takimi të tillë, i cili ka një rëndësi të veçantë për mbrojtjen e mjedisit, ministri Mediu, u shpreh se MMPAU, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë të gjitha hapave të hartimit të këtij drafti, duke theksuar se së shpejti do të përfundojë edhe paketa e plotë mjedisore, në përputhje me objektivat e qeverisë, në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Në këtë kontekst, ministri i Mjedisit, theksoi se një ndër aspektet pozitive të këtij projektligji është përfshirja për herë të parë të disa parimeve, si ai i Zhvillimit të Qëndrueshëm, i Parandalimit dhe Përkujdesjes Paraprake, i Ruajtjes së Pasurive Natyrore, i Zëvendësimit dhe Kompensimit, i Qasjes së Integruar, i Përgjegjësisë së Përbashkët dhe Parimi Ndotësi Paguan, të cilat nuk kanë qenë më parë pjesë e legjislacionit tonë mjedisor.
n.e/NOA