English

Meta:Lugina E Preshevës Shumë Shpejt Pjesë E Europës

ËS -Zv.Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta pret një grup nxënësish shqiptarë dhe serbë nga Lugina e Preshevës- TIRANE, 16 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ - Një grup me nxënësit më të dalluar shqiptarë dhe serbë nga Lugina e Preshevës, së bashku me mësuesit e tyre, ishin sot të ftuar nga Zv.Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, sipas premtimit të dhënë gjatë vizitës së tij në Presheve dhe Bujanovc në muajin mars. Duke shprehur kënaqësinë që të gjithë fëmijët janë bashkë, pavarësisht përkatësisë etnike, zv/kryeministri Meta tha se "ajo që duhet të na bashkojë, është vizioni europian, mënyra e të sjellurit ndryshe nga e kaluara, në mënyrë që të arrijmë atje ku endërrojmë të gjithë, të kemi një Shqipëri, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni europiane". Meta vlerësoi zhvillimet pozitive të ndodhura së fundi në Preshevë, duke vlerësuar se "që nga marsi deri tani, ka patur disa zhvillime pozitive, ku më i fundit ka qënë krijimi i këshillit nacional për shqiptarët në Serbi". Ai çmoi dhe pjesëmarrjen e gjërë që treguan shqiptarët në këtë proçes, duke e konsideruar "një mundësi më e madhe që u jepet për të afirmuar të drejtat". Sipas kryediplomatit Meta, "kjo është e vetmja rrugë që Ballkani të jetë një pjesë me dinjitet e Europës së Bashkuar dhe jo burim problemesh, pasi duke punuar bashkë në të ardhmen, Lugina e Preshevës do të jetë nje model i shkëlqyer i bashkëjetesës europiane, një model për të gjithë Ballkanin". Ai shprehu bindjen se "shumë shpejt do të kemi një prespektive evropiane edhe për Luginën e Preshevës dhe gjithë Ballkanin, pasi ky ka qënë dhe mesazhi nga konferenca e fundit e zhvilluar në Sarajeve". Duke i uruar për sukseset që nxënësit kishin arritur në mësime, Meta shtoi se "vetëm kështu, ju do të kultivoni mes njëri-tjetrit tolerancën e do të arrini të fitoni ato dije, që na ndihmojë të gjithëve të shkojmë përpara. Ju jepni edhe mesazhin më të fuqishëm për të ardhmen e këtij rajoni dhe besoj se Shqipëria do të jetë një destinacion shumë i rëndësishëm për ju dhe për shumë të tjerë për pushime, por edhe për të vazhduar studimet". Në fund, nxënësit e ardhur nga Lugina e Preshevës falenderuan ministrin e Jashtëm, Ilir Meta për mikëpritjen. mes tyre, një nxënëse serbe, shprehu në emër të shokëve të saj, dëshirën për t'a njohur dhe vizituar Shqipërinë. /n.m/
KOMENTE