Tiranë, 16 Qershor, NOA Update - Dy liderët politikë shqiptarë, Edi Rama dhe Sali Berisha, u ftuan që të takohen sot për herë të dytë në Strasburg pasi ka kaluar gati 1 muaj nga takimi i tyre i mëparshëm në restorant “Krokodil” në praninë e disa europarlamentarëve.
Deri këtu, ky duket si një lajm mëse i zakonshëm që mediat kanë arritur të mësojnë mbi kthesat që marrin zhvillimet politike me synimin e zgjidhjes së ngërçit politik, të krijuar prej muajsh në vendin tonë. Por ajo çka e bën të pazakontë dhe aspak të ngjashëm me herët e tjera është fakti se lajmi këtë radhë ka mbërritur nga Brukseli zyrtar dhe jo nga kryeministri shqiptar apo kryetari i opozitës të cilët as e mohuan dhe as e konfirmuan këtë lajm të dyerve diplomatike evropiane. Eshtë fakt, se në një kohë që Brukseli ka tre ditë që flet për takimin e sotëm Rama-Berisha, si raund i dytë i bisedimeve të propozuara nga europarlamentarët e majtë dhe të djathtë të PE-së, as kryeministri dhe as kreu i opozitës nuk denjojnë të japin qoftë edhe deklaratën më të vogël për këtë lajm të rëndësishëm politik, i cili ka të bëjë direkt me zgjidhjen e krizës politike në vend. Një gjë e tillë ndodh ndërsa lajmi vetë ka përfshirë vendin dhe kur presupozohet se do të jenë pikërisht Rama dhe Berisha, të cilët do t’i japin zgjidhje krizës me takimin e famshëm të Strasburgut. Në këtë kuadër, vlen të thuhet se më shumë se një përcjellje e thjeshtë lajmi, akti i publikimit dhe dhënieve të detajeve rreth tij, si nga ana e kryeministrit ashtu edhe nga ana e kreut të opozitës, përbën në vetvete një përgjegjshmëri nga ana e tyre, për efekt të pritshmërisë dhe ndjeshmërisë që ai ka tek publiku vendas, duke qenë shpresa e fundit e zgjidhjes së ngërçit politik, i cili prej muajsh ka pllakosur jetën në vend dhe ka paralizuar punën normale të institucioneve. E për shkak se as kryeministri dhe as kryetari i Partisë Socialiste nuk pranojnë të pronononchen për mediat në lidhje me takimin e sotëm në Strasburg, duke as mos e konfirmuar dhe as mos e mohuar atë, gazetarët në të gjitha mediat janë përpjekur qoftë në zyrat e tyre të shtypit, qoftë në burimet pranë tyre, që të zbardhin atë që me ndjenjë përgjegjshmërie ndaj qytetarëve duhet ta kishin bërë në fakt dy liderët e mazhorancës dhe opozitës në kuadrin e të drejtës së shqiptarëve për informim publik. Por mbi të gjitha, edhe sepse njerëzit prej kohësh janë në ankth për të ditur si do të bëhet zgjidhja e ngërçit politik, e cila duhet pranuar se është kthyer në një rreth vicioz ku asnjëra palë nuk lëshon pè. Për më tepër, kreu i opozitës ka deklaruar hapur se do pengojë proceset integruese nëse nuk gjen nga mazhoranca të plotësuara kërkesat, të cilat i cilëson si të drejta për atë që e quan “transparenca e zgjedhjeve”. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që dy liderët politikë mbajnë sekrete rreth momenteve të fundit sesi i zgjidhin situatat e koklavitura politike dhe në sy të parë kjo mund të duket normale, por ajo çka i shton dozat e papërgjegjshmërisë mospublikimit prej tyre të lajmit mbi një raund të dytë bisedimesh së bashku sot në Strasburg, është fakti se para tyre ka folur rreth këtij takimi vetë pala evropiane. Në një kohë, kur gjithmonë, ajo ka qenë e fundit që prononcohet rreth diçkaje të pritshme në zhvillimet politike në Shqipëri, e madje, edhe kur kjo ndodh, e bën me shumë kujdes. E ndërsa kemi një Bruksel zyrtar që pohon hapur se sot do të ketë një takim Rama-Berisha në Strasburg, nga këta të dy kemi heshtje, e cila e përkthyer në ndjeshmërinë që ajo shfaq tek qytetari mund të ketë vetëm një fjalë gjegjëse: Papërgjegjshmëri. Redaksionale “NOA”