Një "Love Story" Kurorëzuese E Princit Shqiptar
TIRANË, 16 Qershor /ATSH- Edmond Prifti/.- Princi shqiptar Leka i II-të dhe Elia Zaharia pritet të vijojnë rrugëtimin e përbashkët drejt ëndrrës së tyre, me zyrtarizimin e fejesës sot në Hotel "Lutetia" në Paris (Francë).
Në sallonin "Pomepein", më moderni i këtij hoteli, që ndodhet shumë pranë Katedrales së famshme "Notre Dame" dhe Muzeut "Orsay", çifti i ri do të marrë bekimin e më se 100 personaliteteve nga mbarë bota, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni solemne.
Përpos personaliteteve më të larta nga mbarë bota dhe medias franceze në ndërtesën parisiene të vitit 1910, ndër emrat më të spikatur që do të marrin pjesë do të jetë edhe perandorja e Iranit Pahlavi, ish-presidenti i Francës Jacques Chirac (Zhan Shirak) por edhe Renaud Muselier, djali i tezes së mbretit Zogu I-rë që është dhe kryetar i Bashkisë së Marsejës. Ftesa zyrtare gjithashtu u është dërguar edhe krerëve të shtetit shqiptar, por ende nuk është konfirmuar pjesëmarrja e tyre.
Oborri Mbretëror Shqiptar bëri të ditur se që në momentet e para të dërgimit të ftesës zyrtare se, Mbreti Leka I-rë nuk do të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore.
Festa madhështore, që pritet të zhvillohet në hotel "Lutetia" gjatë mbrëmjes, po organizohet deri në detajet më të vogla nga motra e ish-Mbretëreshës shqiptare Geraldinë, Sylviane Muselier.
Hoteli me 231 dhoma ndodhet në bulevardin "Raspail", në zemër të Parisit. Godina luksoze shtrihet përgjatë distriktit "Saint-Germain-des-Prés" dhe është vepër arti më vete, pasi ka skulptura fasade "Art Deco", ndërsa statuja kryesore e portës hyrëse i përket një prej punëve të të famshmit të kullës më të lartë të Parisit, Gustave Eiffel, i cili jetoi dhe punoi për shumë vite pranë këtij hoteli.
Më pas, më datë 3 Korrik 2010, të afërmit e ish-Mbretëreshës Geraldinë do të organizojnë një pritje zyrtare në Hungari, në prani të ambasadorëve të huaj të atashuar në Budapest, ku edhe pritet që çifti të prezantohet zyrtarisht.
Leka II-të është pretendenti i Fronit Shqiptar. Në moshën 20-vjeçare ai vjen për herë të parë në tokën shqiptare, ndërsa deklaron: "Erdha në Atdheun tonë të shtrenjtë".
Princi Leka i II-të është vlerësuar me disa tituj nderi nga presidenti egjiptian Anwar El Sadat, Shah Mohammad-Reza Shah Pahlavi i Iranit dhe Baudouin I-rë dhe Mbreti i Belgjikës, që është dhe kumbari i tij.
Princi mbaroi shkollën fillore në Kolegjin "St. Peter" të Johanesburgut dhe në dhjetor 2006 mbaron studimet në Akademinë Ushtarake "Sandhurst" të Anglisë ku merr titullin "Studenti më i mirë i Akademisë". Vijon më tej studimet në Universitetin e Peruxhias në Itali për gjuhë italiane e më pas përfundon një trajnim në Akademinë Ushtarake "Skënderbej".
Më 21 gusht të vitit 2007, Ministria e Jashtme Shqiptare bëri të ditur se "Princi Leka i II-të bën pjesë në kabinetin qeveritar". Pas dy vitesh punë, ai transferohet në kabinetin pranë ministrit të Brendshëm.
Princi Leka i II-të, është pronari i katër qenëve të racës Boxer, ndërsa hobet e tij janë artet marciale, volejbolli dhe noti.
Për femrat shqiptare gjatë një interviste në media, rreth një vit më parë, ai ka deklaruar se "do zgjedh një vajzë shqiptare, që të ketë cilësi sinqeritetin, personalitetin dhe inteligjencën".
Princi Leka II-të shpalli fejesën zyrtarisht me Elia Zaharia në maj 2010.
Rreth dy vite më parë kur Princi Leka i II-të u takua për herë të parë me Elia Zaharia ndodheshin larg njëri-tjetrit afro 3000 kilometra distancë, pasi Princi jetonte në Tiranë, ndërsa vajza në Paris.
Për herë të parë mediat shqiptare shkruan për pikënisjen e një historie dashurie të tij me një brune shqiptare, tejet të këndshme. Shumë shpejt u mësua se e përzgjedhura ishte Elia Zaharia, e bija e aktores së mirënjohur shqiptare Yllka Mujo.
Ajo është ish-pjesëtarja e grupit të quajtur "Spirit Voice" por ka edhe një karrierë unike në kinematografinë franceze. Elia Zaharia ka interpretuar në filmin "Vetmi" në rolin kryesor të një vajze shqiptare, e cila gjendet papritmas e përfshirë brenda një rrjeti kriminal.
Ndërsa ka folur për të ëmën rreth karrierës së saj artistike, Elia ëndërron se një ditë do të ketë fatin të interpretojë në skenë rolin e pakrahasueshëm të Yllka Mujos, "Fernando Krafi më ka shkruar një letër"./n.m/