English

Operacioni “Juristi”, kapen 4 falsifikatorë që shpërndanin diploma të Juridikut

Tiranë, 16 Qershor, NOA – Megjithëse nuk ishin anëtarë të stafeve universitare, katër persona arrinin të falsifikonin në mënyrë perfekte diploma të Juridikut, duke i bërë ato të dukeshin si origjinale e paskëtaj, i shpërndanin ndaj të interesuarve për shumën e 7 mijë eurove.

Por duket se puna e tyre ka rënë në gjurmët e forcave të Seksionit kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilat përmes një operacioni të koduar me emrin "Juristi" kanë mundur të realizojnë gjatë ditës së sotme arrestimin e tyre pasi i kapën në flagrancë me diploma false.

Sipas informacioneve të përcjella prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA bëhet fjalë për të ndaluarit, Medat Kasa 54 vjeç, Anai Muça 64 vjeç, Fadil Gurri 43 vjeç dhe Adriatik Koçi 45 vjeç, të cilët akuzohen se falsifikonin diploma të shkollës së lartë.

Konkretisht, siguronin diploma të shkollës së lartë dhe kryesisht të fakultetit të Juridikut kundrejt një shume prej 7 mijë eurosh.

Ndërkaq, burimet policore sqarojnë se shumat përkatëse të eurove depozitoheshin në llogaritë bankare të njërit prej të arrestuarve.

Në kuadrin e operacionit bëhet me dije se kanë mundur të sekuestrohen edhe kopjet e diplomave të falsifikuara, diploma të fakultetit të Drejtësisë, listë notash, dokumentacione pronash, viza etj.

Forcat policore janë duke vazhduar hetimet për këtë çështje, mbi përfshirjen edhe të personave të tjerë të mundshëm në këtë ngjarje.

n.e/NOA

KOMENTE