Gjirokastër, 16 Qershor, NOA – Dy makina luksoze të tipit “BMV” dhe një “Benz Mercedes ML” janë sekuestruar nga forcat e policisë së Gjirokastrës nën operacionin e koduar “Makina Luksoze”.
I zhvilluar në kuadrin e luftës për goditjen e trafikut të mjeteve motorike, kryesisht të mjeteve luksoze prodhim i viteve të fundit, operacioni pati si nismë kryesore informacione në rrugë operative se këto automjete ishin të vjedhura.
Burimet konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se konkretisht, janë sekuestruar mjetet tip BMV, X5 me targa DT 739 FK, i drejtuar Salento Gërveshi, 34-vjeç, i lindur dhe banues në Lazarat; ndërsa mjeti i dytë është automjeti tip BMV X 5, me ngjyrë të zezë, me targa CP 221 FL, i cili drejtohej nga Bektash Kore, 24-vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër.
Më tej, mësohet se pas shoqërimit në mjediset e policisë së Gjirokastrës, të dy automjeteve u është bërë akt ekspertimi, ku ka rezultuar se automjetit me tragë DT 739 FK kishte ndërhyrje në shasi, ndërsa automjeti me tragë CP 221 FL, pas verifikimit në sistemin ASF-2, rezultoi i vjedhur.
Të dy të lartpërmendurit janë arrestuar në flagrancë për veprën penale të “Trafikut të mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a, i Kodit Penal, ndërsa automjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
n.e/NOA