Tiranë, 16 Qershor, NOA Update – Ndërsa personat e interesuar depozitonin 7 mijë eurot në llogaritë bankare të falsifikatorëve, këta të fundit nisnin nga puna dhe brenda dy muajve kohë arrinin t’u jepnin në dorë një diplomë Juridiku false, që ngjante si e vërtetë.
Kjo është skema që realizonin 4 të arrestuarit e sotëm nga forcat e Policisë së Tiranës në kuadër të operacionit policor të koduar “Juristi”, për ndarjen e diplomave false, kundrejt pagesës prej 7 mijë eurosh.
E konfirmuar prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, skema sqaron sesi njëri nga 4 të arrestuarit, konkretisht, Adriatik Koçi 45 vjeç, ishte me profesion përkthyes në disa gjuhë të huaja, ndërsa dy të tjerët Medat Kasa 54 vjeç e Anai Muça 64 vjeç, ndihmonin në falsifikimin e dokumentave dhe personi i fundit, Fadil Gurri 43 vjeç rezultonte të ishte me punë në sektorin privat-tregtar.
“Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe persona të tjerë, bënin të mundur sigurimin e diplomave të Fakultetit të Drejtësisë kundrejt përfitimit të shumës së parave prej 7000 eurosh”, komunikon përmes një deklarate të posaçme mbi këtë aksion të kryer preej saj, Policia e Tiranës.
Duke shtuar se këta persona e kryenin këtë aktivitetet duke i depozituar 7 mijë eurot paraprakisht në filiale të ndryshme të bankave në Tiranë, si garanci për përgatitjen dhe dorëzimin e diplomës, afat i cili zgjaste rreth 2 muaj.
Vazhdon intensivisht kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimi dhe arrestimi i personave të tjerë të implikuar.
Kurse materialet hetimore së bashku me procedimin penal do t’i dërgohen njësisë Task- Force në prokurorinë e Tiranës për veprat penale të “Ushtrim i ndikimit te paligjshme ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim dokumentash”, “Falsifikim dokumentash shkollore dhe falsifikimi i formularëve në bashkepunim”, parashikuar nga nenet 245/2-186-187-190 e 25 të Kodit Penal.
n.e/NOA