Prishtinë, 17 Qershor 2010 NOA Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z.Behar Selimi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit te Shqipërisë z.Hysni Burgaj kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mbi organizimin e shërbimeve të përbashkëta të strukturave të policisë rrugore, në akset rrugore te Republikës së Shqipërisë.
Kryepolici Selimi sqaroi se memorandumi i bashkëpunimit, mes dy policive, shtrin efektet nga sot e deri më 31 gusht 2010 kur edhe thuajse përfundon sezoni veror turistik.
Duke folur lidhur me këtë marrëveshje bashkëpunimi, z. Selimi tha se ka për qëllim rëndësinë e bashkëpunimit mes dy agjencive në përpjekjet për rritjen e elementëve të Sigurisë Rrugore, konkretisht në fushën e parandalimit te kundërvajtjeve administrative për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimit me rigorozitet të legjislacionit rrugor.
“Marrëveshja synon krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet, e konkretisht gjatë sezonit turistik Korrik-Shtator 2010, ku ka një rritje të ndjeshme të numrit të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet”, - deklaroi z.Selimi.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij memorandumi bashkëpunimi kanë marrë pjesë edhe Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë z.Lulzim Basha dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës z.Rexhepi.
Ata, diskutuan për intensifikimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të dy policive, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit te masave te përbashkëta.
Basha tha se me dëshirën për të mundësuar arritjen e synimeve të sipërpërmendura nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërpolicor, nëpërmjet organizimit të shërbimeve të përbashkëta, ky bashkëpunim do te realizohet dhe shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë
a.b/NOA