Policia E Kryeqytetit Garanton Siguri Gjatë Sezonit Veror
TIRANË, 16 Qershor /ATSH - M.Shkurta/ - Me fillimin e sezonit veror, Policia e kryeqytetit ka ndërmarrë masat bashkë me një plan-veprim për krijimin e kushteve normale për shtetasit shqiptarë dhe turistët që do të frekuentojnë plazhet në bregdetin e Kavajës, Golemit, etj, si dhe në zonat turistike të Qarkut të Tiranës.
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, bënë të ditur sot për ATSH-në se masat përfshijnë parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe rritjen e sigurisë në vendet e pushimit, të aksidenteve automobilistike, rritjen e sigurisë në rrugë, rritjen e cilësisë së shërbimit policor gjatë kontrollit të territorit të Qarkut, ndihmën për komunitetin, mbajtjen nën kontroll të personave me precedentë penalë, deri në arrestimin e atyre të shpallur në kërkim.
Për të mundësuar lëvizjen dhe qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugë, plazhe e zona të tjera turistike, ku plan masash u është përcjellë Komisariateve të Policisë në Tiranë dhe Kavajë si dhe asaj Rrugore.
Me synim rritjen e sigurisë në hotele, bare, restorante etj, punonjësit e Policisë në zonat bregdetare janë informuar mbi situatën e Rendit në zonat ku punojnë.
Nisur nga rritja e numrit të popullsisë në zonën e bregdetit të Kavajës, fluksi i shtetasve shqiptare dhe të huaj që vijnë përmes Aeroportit "Nënë Tereza" në Rinas dhe pikave të tjera kufitare, shtimi i numrit të automjeteve në qarkullim dhe ngarkesa në trafik, do të rritet numri i efektivave të Policive të Rendit dhe Rrugore.
Kjo rritje efektivash parashikohet në akset Kamëz - Tiranë, Rinas - Tiranë, Tiranë - Ndroq - Plepa, Tiranë - Vore - Durrës, Tiranë - Krrabë, Tiranë - Dajt dhe ato në rrethin e Kavajës gjatë ditëve të javës dhe sidomos në ditët e shtuna dhe të djela./n.m/