English

Portret/Fier: Jona, Piktorja E Lidhur Me Detin

N FIER,16 qeshor /ATSH -Rr.Isufaj/ - Piktorja 26-vjeçare Jona Dividi nga Tirana, pjesëmarrëse në 40 ekspozita brenda dhe jashtë vendit, hapi së fundi një ekspozitë në qytetin antik të Apollonisë, rreth 13 km larg Fierit, dëshiron që të hapë një ekspozitë retrospektive ku të përfshijë veprat e 20 viteve të fundit. Ajo ka vizatuar, siç bëjnë fëmijët zakonisht qysh në kopsht, por ndryshe nga shumë të tjerë, prindërit e saj u treguan të kujdesshëm që të ruanin gjithçka që zhgarraviste vogëlushja. "Vlerësoj më shumë te prindërit atë që më kanë ruajtur pikturat e mia që kur unë isha e vogël, në kopësht. Kur u rrita, kjo ishte nxitje e vazhdueshme dhe sot, kur hap dosjen, kënaqem," thotë piktorja e re. "Kjo është aq e vërtetë dhe mbreslënëse, sa që kam menduar të paraqis një ekspozitë retrospektive me punimet e mia të para, që i kanë fillesat 20 vjet më parë," thotë Dividi. Prindërit e saj nuk kanë vetëm këtë meritë në formimin e vajzës së tyre. Prirjet artistike të të jatit dhe kurajimi i nënës, janë një tjetër dimesion prindëror, që e ka pasur me bollëk. "Babai im ka punuar pikturë dhe skulpturë shumë, pavarsisht se në profesion është diçka tjetër, " thotë Dividi, që shton se "mamaja gjithmonë më ka ndjekur pas dhe më ka kurajuar." Ekspozitën e saj të parë personale, Davidi e ka hapur në Gostivar, Maqedoni, vitin e kaluar. Veprat ishin në zhanrin e grafikës. "Ekspozita e parë, e realizuar në grafikë në Galerinë e Arteve të Gostivarit më dha krahë. U ndjeva shumë e mirëpritur dhe e vlerësuar nga artistët dhe qytetarët, që është shumë e rëndësishme për ne artistët," tregon Dividi. Në ekspozitën që çeli dy ditë më parë në Apolloni, veprat në teknikën e vajit u mirëpritën nga specialistët dhe publiku. "Jona duket sikur luan me ngjyrat. Ngjyrat që ka përdorur janë shumë vitale, ka ditur t'u japë jetë, t'u japë shpirt, t'i shndërrojë të gjalla dhe t'i bëjë të flasin artistikisht punimet e saj," thotë pedagogu dhe piktori Pandi Lena. Jona Davidi është diplomuar në Akademinë e Arteve në vitin 2006 dhe në 2008 përfundoi masterin për pikturë të përgjithshme në Prishtinë. "Në Apolloni kam sjellë tematika të ndryshme, gjithmonë duke ju përshtatur jetës," thotë piktorja, që e ka të vështirë të zgjedhë mes punëve të saj. "Nuk mund të veçoj asnjërën sepse kam sjellë punimet e mia më të dashura. Sikur të më kërkonte njeri ndonjërën prej tyre, vërtet do ta kisha të vështirë t'a veçoja nga të tjerat," thotë ajo. Një fakt bie në sy që larg, dominimi i ngjyrës blu dhe nuancave të saj në punimet e Dividit. "Lidhjet e mija me detin janë jetike. Jo thjesht për emrin. Gjithmonë jamë frymëzuar nga ngjyrat e detit dhe thellësia e tij. Hapësira, frymëmarja që krijon ai," shprehet Dividi. Me detin, Jona Dividi është është e lidhur qysh para se të lindte në një histori që vetë e ka mësuar më vonë. "Prindërit më dëshironin për djalë, dhe meqë deti Jon për ta ishte një bukuri e rrallë, kishin vendosur të më vinin emrin e tij. Kur unë linda vajzë, babai nuk u tërhoq nga emri që më kish taksur dhe më pagëzuan me emrin Jona," thotë ajo./ch/
KOMENTE