Qeveria Miraton Protokollin Shtesë Të Kartës Europiane Të Vetëqeverisjes Vendore
- Protokolli mbi të drejtën për të marrë pjesë në punët e një autoriteti vendor -
TIRANË, 16 Qershor/ATSH/.- Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim Protokollin shtesë të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, mbi të drejtën për të marrë pjesë në punët e një autoriteti vendor.
Sipas zyrës së shtypit pranë qeverisë, protokolli shtesë u hartua nga Këshilli i Europës dhe Komiteti Europian për Demokraci lokale dhe Rajonale. Ky Protokoll dëshmon për arritjen e standardeve, mbi pjesëmarrjen demokratike në nivel lokal.
Miratimi i Protokollit është në përputhje edhe me angazhimet e marra në Deklaratën e Budapestit, miratuar në Konferencën Europiane të Ministrave përgjegjës për qeverisjen lokale e rajonale. Në këtë konferencë u ra dakord që "qeverisja e mirë lokale dhe rajonale të bëhet një objektiv thelbësor për t'u ndjekur nga vendet anëtare, në mënyrë që t'u përgjigjemi sfidave të shoqërive tona dhe të arrijmë pritshmërinë e ligjshme të qytetarëve tanë"./m.m//a.gj/