English

Qeveria, vendim për bankën që do administrojë paratë e institucioneve

Tiranë, 16 qershor, NOA – Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për përzgjedhjen e bankës për kryerjen e shërbimit të mbajtjes së llogarive bankare të institucioneve qendrore, institucioneve të varësisë, si dhe ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare shtetërore”.

Banka që do të marrë këtë shërbim duhet të plotësojë disa kritere. Në bazë të vendimit të qeverisë, banka duhet të nënshkruajë marrëveshje me institucionin.

Kjo marrëveshje duhet të jetë vjetore, me të drejtë përsëritjeje. “Të jepen të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe e drejta e zgjidhjes së marrëveshjes në mënyrë të njëanshme”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Nga ana tjetër procesi i përzgjedhjes së bankës t’i referohet rregullave, të vendosura nga ligji për ‘Ankandin publik’, nëpërmjet një komisioni, të caktuar nga titullari i institucionit.

Gjithashtu banka duhet të vendos “kritere reference për kualifikimin e bankës lidhur me nivelin e komisionit bankar për mirëmbajtje llogarie, kostos minimale për transaksion, interesin për llogari depozite pa afat, shpejtësisë në depozitimin e pagave”.

Sipas relacionit të vendimit të qeverisë, ky akt ligjor ka për qëllim mirëpërdorimin e fondeve publike, sigurimin e integritetit dhe transparencës në procedurat e përzgjedhjes se bankës për çeljen e llogarive bankare të institucioneve qendore e të varësisë dhe shoqërive me kapital shtetëror, si dhe uljen e kostos se shërbimeve bankare, për menaxhimin e likuiditeteve të punonjësve.

“Në kuadrin e ekzekutimit të pagesave në llogaritë personale bankare të punonjësve publike ka dalë e nevojshme edhe rregullimi i procedurave dhe kritereve të përzgjedhjes së bankës, në të cilat institucionet e qeverisjes qendrore e të varësisë dhe shoqëritë me kapital shtetëror mund të hapin dhe të mbajnë llogaritë e tyre bankare”, thuhet në vendimin e qeverisë.

m.xh.NOA

KOMENTE