Reportazh/ Elbasan: "National Geographic" Sjell Francezin Me Investime Per Turizmin Malor
ALOR
ELBASAN, 16 Qershor/ATSH-Miranda Sadiku/ - Francezit biznensmen, Majdid Ait Bassa i mjaftoi një reportazh që kishte lexuar në revistën amerikane National Geographic" në 2006, për t'a bindur që të vinte dhe të investonte në Qeret të komunës Labinot Mal në Elbasan.
"Vizitoni Shqipërinë se është një vend autentik, sepse është një vend i mrekullueshëm, ka male, fusha, plazhe, pra, gjithçka është e përmbledhur në këtë vend për të ndërtuar një pikë turistike", më citon sot revistën francezi Majdid Ait Bassa, i cili po ndërton një fshat turistik malor në Qerret.
Vendi ku 45-vjeçari Majdid Ait Bassa kërkonte të ndërtonte fshatin turistik duhet të ishte një vend i pabetonizuar dhe jo shumë i njohur, këto ishin kushtet dhe kërkesat që kishte, se për të, këtu ishte e veçanta.
Kështu ai hartoi një projekt në Francë për një investim turistik në fshatin Qerret dhe ia parashtroi komunës Labinot Mal, e cila e miratoi atë.
"Një vit më parë nisa ndërtimin e pikës turistike duke e filluar me ngritjen e 18 kabinave me të gjitha pajisjet e nevojshme për të jetuar turistë vendas dhe të huaj", tregon për ATSH-në, Majdit Ait Bassa.
"Nuk mund ta realizoja këtë projekt pa ndihmën e komunës, e cila më ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet e disponueshme", thotë ai.
Deri tani në fshatin turistik janë ndërtuar 12 kabinat e para, secila për gjashtë vetë. Përveç tyre, aty do të ketë dhe peshkimin, alpinizmin skitë dhe veprimtari të tjera sportive.
Majdit Ait Bassa shton se "Kompleksi turistik në Qerret do të jetë me të gjitha ambjentet e nevojshme". Ai ndihet i kënaqur që për ndërtimin e tij ka punësuar banorë vendas, por dhe tepër i vlerësuar nga ndihma që po jep pushteti lokal.
Kryetari i Komunës Labinot Mal, Qani Xhafa tregon se "komuna e ka ndihmuar shumë biznesmenin francez duke i miratuar projektin dhe duke i dhënë me qera më shumë se 50 vjet tokën në fshatin Qerret, pronë e komunës".
Ai tregon si i mundësoi francezit Bassa energjinë elektrike si dhe ujësjellësin, me qëllim që ky kamping gjithëvjetor të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Komuna Labinot Mal ofron mundësi për zhvillimin e turizmit malor, pavarësisht se deri tani aty nuk është investuar dhe jo vetëm se biznesmenët nuk ia dinë ende mirë vlerën dhe rëndësinë turizmit malor, por edhe për shkak të infrastrukturës rrugore.
Kryetari i komunës ka ftuar biznesmenë të huaj edhe vendas të investojnë aty, pasi vetëm turizmi malor është e ardhmja e komunës, që mund të punësojë të rinjtë e të rejat, ndërsa nuk përjashton banorët që janë bujarë dhe mikpritës si dhe punimet artizanale shumë të pasura.
Kampingu i biznesmenit nga Franca që mendohet të mbarojë në shtator do të jetë si për stinën e verës, dhe të dimrit, pasi të dy stinët kanë bukurinë e vet, dëbora në dimër dhe freskia në verë.
Klientët e parë të tij janë francezë dhe disa të huaj të tjerë nga Algjeria, Turqia dhe shqiptarë.
Ndërkaq, në projektet për të ardhmen, Majdit Ait Bassa tashmë ka përvijuar dhe ngritjen e një fshati indian me tenda. /ch///n.m/