English

Rikthehen Pas 30 Vjetësh Gërmimet Arkeologjike Në Shkodër

- Një projekt shqiptaro-polak synon kthimin në identitet të kryeqytetit të mbretëreshës ilire, Teutës- SHKODER, 16 Qershor/ATSH-G. Marku/- Shkodra, qyteti në veriperëndim të Shqipërisë, i themeluar rreth shekujve V-IV para erës sonë pritet t'i nënshtrohet gërmimeve arkeologjike, pas një pauze prej 30 vitesh. Gërmimet në kryeqytetin e Teutës së Ilirisë do të kryehen nga një grup arkeologësh shqiptarë dhe polakë, mbi bazën e një projekti të mundësuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Ambasadën Polake në Tiranë. Përfaqësuesit lokalë të Shkodrës, në prani të arkeologëve polakë dhe shqiptarë, informuan të mërkurën mediat mbi projektin në fjalë, që do të zbatohet në harkun e pesë viteve duke synuar që kryeqyteti i Teutes të kthehet në identitet. Projekti do të nisë me kërkimet gjeofizike në zonë. Prefekti Cungu, duke vlerësuar këtë projekt, tha se ai synon evidentimin e vlerave historike dhe arkeologjike që mbart në vetvete qyteti i Shkodrës. Cungu, që disa vite më parë drejtonte Muzeun Historik të Shkodrës, shtoi se "Parku Arkeologjik i Shkodrës ruan në brendësi të tij gjurmë të antikitetit dhe vlerësohet si një zonë me vlera të rralla dhe të veçanta të dëshmisë arkeologjike të vendit". Prof. Neritan Ceka, i pranishëm në këtë takim, bëri të ditur se në këtë projekt do të jenë partnerë pushteti vendor, Këshilli i Qarkut, Bashkia Shkodër, si dhe Universiteti "Luigj Gurakuqi", në mënyrë që të krijohet një grup pune që të jetë kryesisht nga arkeologë të rinj shkodranë, të cilët do të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë. Ndërsa, arkeologu polak Poiter Dyce, duke shprehur kënaqësinë për këtë marrëveshje, tha se "një nga dëshirat e mia ka qënë gjithmonë për të bërë gërmime në qytetin e Shkodrës, pasi është kryeqyteti i Teutës. Kështu që shpresoj dhe besoj se këto gërmime do të shërbejnë në miqësinë dhe forcimin e lidhjeve në mes nesh dhe njëkohësisht edhe midis popujve për një Europë të bashkuar"./s.s./
KOMENTE