English

Ruli: Konkurrueshmeria E Prodhimeve Bujqesore, Sfida Kryesore E Mbumk

-Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, takon sipërmarrës të agroindustrisë në rrethin e Beratit- TIRANE, 16 Qershor /ATSH/- Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, gjatë një takimi sot me sipërmarrës të agroindustrisë në rrethin e Beratit, deklaroi se "rrethi i Beratit përbën një nga potencialet më të mëdha bujqësore të vendit tonë dhe e veçanta e tij është se këtu ka një zhvillim të gjithë zinxhirit të bujqësisë e blegtorisë". Burime nga ministria e Bujqësisë bënë të ditur se ministri Ruli vlerësoi Beratin edhe për koefiçientin e lartë të shfrytëzimit të tokës, ku gati njëqind për qind e sipërfaqes, është e mbjellë. Në këtë rreth, nënvizoi ai, spikat tradita e pasur e fermerëve, tradita e vjetër dhe e re në bujqësi. "Interesimi i fermerëve beratas për bujqësinë, duket edhe në numrin e madh të aplikimeve për të marrë subvencione", tha kreu i bujqësisë shqiptare, duke bërë të ditur se këtë vit kanë aplikuar 1300 fermerë për të marrë subvencione. Duke folur për prioritetet e zhvillimit të bujqësisë, ministri Ruli theksoi se pemtaria dhe perimet do të jenë për një kohë afatgjatë dy nga drejtimet kryesore të bujqësisë shqiptare. "Në një të ardhme të afërt, bujqësia shqiptare do të integrohet në një treg të madh bujqësor europian, ku shumë tregje janë të konsoliduar prej vitesh dhe të subvencionuara nga qeveritë e tyre si dhe nga Komisioni Europian", tha Ruli. Në këto kushte, vuri në dukje ministri Ruli , nuk është e lehtë të konkurrosh, duke theksuar se me frutat, perimet, mishin e bulmetin Shqipëria ka mundësi të jetë konkurruese në tregun europian, pasi konkurrueshmëria është sfida jonë më e madhe në të ardhmen. Duke folur për konsolidimin e fermave tona, ministri Ruli u ndal edhe në nxitjen e kooperimit të fermerëve. Si element nxitës për kooperimin, tha ministri Ruli, duhet të përdorim edhe subvencionet që japim për bujqësinë, pasi fermerët e grupuar duhet të përfitojnë më shumë./e.xh/s.s./
KOMENTE