Sport-Botëror/ Bastet Sportive "Çmendin" Tifozët Shqiptarë
TIRANË, 16 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Të bërë tifozë me ekipet pretendente për titull, Brazilin, Argjentinën, Anglinë, Italinë, Gjermaninë, Holandën, shqiptarët kanë nisur me kohë të kuotojnë në pikat e basteve si fituese ekipet që kanë përzgjedhur, por duke veçuar Spanjën.
Për shqiptarët skuadra që do të mund të fitojë Kupën e Botës është Spanja, pasi për këtë skuadër janë vënë edhe shuma të konsiderueshme parash.
Por këtë muaj ata që "fërkojnë duart" për përfitimet që pritet të marrin janë pronarët e pikave të basteve sportive, pasi kampionati botëror për ta është si një 'minierë ari", ku fitimet llogariten të jenë mjaft të mëdha. Të gjithë tifozët kanë një rast të mirë për të vënë shuma të mëdha për parashikimin e një ndeshjeje të vetme. Për një muaj kompanitë e basteve në vendin tonë, ashtu si në të gjithë botën, do të kenë intensitetin më të lartë të punës në të gjithë vitin.
Nga një vëzhgim i bërë nga ATSH, në dy kompani të mëdha bastesh në Tiranë, mësohet se vetëm për Spanjën janë vënë më shumë se 80 mijë dollarë baste.
Në një kompani bastesh për iberikët në finale janë vënë 10 mijë dollarë, në gjysmëfinale janë vënë 20 mijë dollarë dhe në çerekfinale 32 mijë dollarë.
Ndërsa në një kompani tjetër bastesh thotë se për Spanjën kampione janë vënë 9 milionë lekë (të vjetra), për Argjentinën fituese e Botërorit, 4 milionë lekë (të vjetra), për Anglinë, 4.2 milionë lekë, për Brazilin, 2.8 milionë lekë dhe për Gjermaninë, rreth 1 milionë lekë (të vjetra).
Ndërsa çifti i mundshëm i finales, më i luajtur në baste momentalisht është Gjermani-Brazil, me fitore të Seleçaos.
Baste në kuota më të vogla parash janë vënë edhe për golashënuesin e Botërorit, ku më shumë se 2 mijë euro janë vënë për Klosen dhe Torres, si golashënuesit më të mirë dhe diçka më pak për Runin, David Vijën dhe Lionel Mesin.
Të dhënat e mësipërme janë vetëm për dy kompani bastesh, ndërkohë që me vijimin e Botërorit, "ethet" e lojës bëhen edhe më të forta./n.m/