Sport-Botëror/ Zvicra Shtang Kampionët E Evropës Në Debutimin E Botërorit
TIRANË, 16 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Zvicra, e drejtuar nga tekniku i njohur gjerman, Otmar Hicfeld, shtangu sot pasdite ekipin kampion të Evropës, Spanjën, duke fituar me rezultatin 1-0 në ndeshjen e saj të parë në finalet e këtij Botërori.
Ekipi spanjoll ka vuajtur shumë në këtë ndeshje, nuk ka qenë në gjendje për të shënuar, edhe pse raste ka pasur jo pak. Çdo iniciativë e Spanjës drejt portës zviceriane ka dështuar përballë mbrojtjes, e cila ka zhvilluar një 90-minutësh heroik, duke neutralizuar sulmuesit më të mirë në botë, si Fernando Torres, David Villa, Pedro, Iniesta, etj.
Duhet pranuar që lojën në këtë sfidë e ka bërë Spanja, e cila ka dominuar në të gjithë treguesit, përvec golit, që ka folur me "gjuhën zvicerane" kësaj here. Zvicra është treguar mjaft pragmatiste, e udhëhequr me mjaft zgjuarsi nga Hicfeld, që e kishte studiuar me imtësi lojën e spanjollëve dhe iu kundërvu atyre me efikasitet maksimal, aq sa të beasuarit e Del Boskes nuk po u besonin syve teksa minutat kalonin dhe humbja i turpëronte të gjithë, sepse ishin kampionë të Europës.
Goli i shënuar nga Fernandez, në minutën e 52-të, mbeti deri në fund i pandryshuar, duke e dërguar Zvicrën në "qiellin e shtatë", ndërsa Spanja e nis në mënyrën më të keqe Botërorin. Tashmë Spanjës, në dy ndeshjet e tjera në grup i duhet patjetër fitorja, nëse do të vijojë më tej.
Fitorja e ngjit Zvicrën në krye të grupit H me 3 pikë aq sa Kili që mposhti sot Hondurasin po me rezultatin 1-0.
Grupi H
Spanjë-Zvicër 0-1
Shënues: Fernandes 52'
Spanja(4-1-4-1): Casillas; Sergio Ramos, Piquet, Puyol, Capdevila; Busquets (61' Torres); Silva (61' Jesus Navas), Xavi, Xabi Alonso, Iniesta; Villa. Trajner: Vinsente Del Bosque
Zvicra (4-4-1-1): Benaglio; Lichsteiner, Senderos (35' Von Bergen), Grichting, Ziegler; Barnetta, Inler, Huggel, Fernandes; Derdiyok; Nfuko.Trajner: Otmar Hitzfeld.
/s.s./