Sukniqi: "Zorba", Balet Filozofik Që Sjell Mentalitetin Real Ballkanik
TIRANË, 16 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Muzikë greke dhe balet shqiptar në një histori tipike ballkanase, këtë ofron baleti "Zorba" që do të shfaqet premierë në 25 qershor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Kjo vepër, e cila ka korrur një sukses botëror, vihet për herë të parë në skenën shqiptare të operës dhe baletit. Me muzikë të kompozitorit të madh grek Mikis Theodorakis, shfaqja e baletit vjen në skenën shqiptare nga një emër i njohur i koreografisë shqiptare, Arjan Sukniqi.
Veç solistëve shqiptarë, në këtë kryevepër botërore, që mbyll dhe sezonin artistik në TKOB, janë të ftuar dhe dy balerinë të njohur shqiptarë, por që prej gati dy dekadash jetojnë dhe punojnë në Greqi, Altin Koruti, në rolin e Zorbës dhe Bledi Latifi, në rolin shkrimtarit Xhon.
Në një prononcim për ATSH-në, koreografi Arjan Sukniqi thotë se "ky është një balet filozofik, që përcjell antagonizmin mes dy mentaliteteve, që nisen nga një pikënisje, që do të thotë se kjo ka lidhje me jetën, me mënyrën se si e shikojmë jetën, se si e përballojmë atë. Në fund është ideja se kush e shijoi më shumë këtë jetë, ky që e pa me syrin pragmatist apo ky që e pa me syrin idealist".
Dy rolet kryesore Sukniqi ua ka besuar dy balerinëve të shqiptarë, që punojnë në shtetin fqinj. "Dy rolet kryesore janë Xhoni, një shkrimtar që do të interpretohet nga Bledi Latifi, i shkolluar në perëndim, dhe Zorba, një fshatar i mençur, i cili pa dijeninë e tij mbart filozofinë e Niçes, që gjithmonë gjërat i shikon në realitetin objektive të zhvillimit të tyre. Zorba interpretohet nga Altin Koruti", tha Sukniqi.
Ngjarjet zhvillohen në vitet e para të shekullit të kaluar në Kretë. I pyetur se çfarë përfaqëson për të kjo kryevepër botërore Sukniqi thotë se "për mua Zorba është një hero i mentalitetit real ballkanik, një personazh i cili në të gjithë mënyrat që mund të zhvillohet shoqëria, mund të ishte një shqiptar, një grek, turk, etj".
Vepra e rëndësishme e baletit grek, "Zorba", ka angazhuar rreth 200 artistë në tërësinë e saj, dhe sipas vetë koreografit Arjan Sukniqi, është një vepër e vështirë, pasi është një vepër kontemporane.
Skenografia e baletit me dy akte "Zorba" i është besuar Platon Bardhit, kostumografia Taulant Pustinës, mjeshtër kori Dritan Lumshi, dirigjent Edmond Doko.
Në rolet kryesore interpretojnë Altin Koruti, Bledi Latifi, Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Erisa Gina, Dion Gjinika, Odeta Dishnica. Në këtë balet interpreton pas një shkëputje shumë vjeçare në TKOB, edhe këngëtarja Manjola Nallbani.
Sa i takon TKOB gjatë këtij sezoni artistik ka pasur disa premiera absolute, ndër të cilat opera "Manon Lescaut", "Anna Bolena", "Jeta është ëndërr", baleti "Delina" etj.
Sezoni tjetër rinis në tetor me operan e kompozitorit gjerman Jacques Offenbach "Përrallat e Hoffmanit" (The tales of Hoffmann). /s.s./