English

Teksas - Ekzekutohet Një I Dënuar Me Vdekje Pas 32 Vjetësh Pritje

UASHINGTON, 16 qershor /ATSH-ANSA/ - Autoritetet e Teksasit ekzekutuan dje David Powell, një i burgosur që e kishte marrë dënimin kapital 32 vjet më parë pasi kishte vrarë një polic. Koha e gjatë duke pritur vdekjen kishte tërhequr vëmendje për çështjen e tij, të cilën disa juristë e cilësuan si "një dënim i pamëshirshëm", në kundërshtim me çfarë parashikohet në Kushtetutën amerikane. Powell, 59 vjeç, ishte dënuar me vdekje pasi kishte vrarë me armë zjarri një polic i cili kishte ndaluar makinën e tij për një kontroll. Në momentin e vrasjes Powell ishte nën efektin e drogës. Dënimi i tij u anulua dy herë në apel por përsëri u rikonfirmua në proceset e tjera. Gjatë 32 viteve burgim Powell ishte transformuar në të burgosurin model, siç dëshmojnë shumë gardianë të burgut. Edhe Amnesty International ishte interesuar për rastin e tij. Për Teksasin, 32 vitet e pritjes së ekzekutimit janë një rekord. Dy vjet më parë në Gjeorgji u ekzekutua një i dënuar pas 33 vjetësh që kishte marrë dënimin. /e.v/
KOMENTE