English

Turqi - Një Ushtar Humb Jetën Gjatë Përleshjeve Me Pkk-Në

ANKARA, 16 qershor /ATSH-ANSA/ - Një ushtar turk gjeti vdekjen gjatë një shkëmbimi zjarri me rebelë kurdë të Partisë së punëtorëve të Kurdistanit (PKK), njoftoi agjencia e lajmeve Anadolli duke cituar burime ushtarake sipas të cilave incidenti ndodhi dje në një lokalitet pranë qytetit Uludere, në provincën juglindore të Sirnakut, pranë kufirit me Irakun. Po dje, një ushtar turk humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi i një bombe të aktivizuar në distancë në pjesën juglindore të Turqisë. Ndërsa një ditë para kësaj ngjarje, pranë lokalitetit Semdinli, një ushtar mbeti i vrarë dhe katër të tjerë të plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me rebelët kurdë. Turqia, ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, e konsideron PKK-në një organizatë terroriste dhe akuzon se është përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë personave, më së shumti kurdë, nga fillimi i revoltës për ndërtimin e një Shteti ta pavarur kurd në juglindje të vendit në vitin 1984. /e.v/
KOMENTE