Tiranë, 16 Qershor, NOA – Për të marrë një koncesion pranë ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, tani firmat do të duhet të përmbushin kushte të ndryshme nga më parë.
Kjo përcaktohet në një vendim të ri që u mor sot nga qeveria shqiptare, sipas të cilës, do të realizohen ndryshime në ligjin ekzistues nr.9663, të vitit 2006 “Për koncesionet”.
Vendimi i ri parashikon që “ Autoriteti Kontraktor, në bazë të një vlerësimi, mund të japë një afat deri në 12 muaj, për kontratat e ndërtimit të hidrocentraleve me koncesion me kapacitet deri 5 MV; deri në 18 muaj, për kontratat e ndërtimit të hidrocentraleve me koncension me kapacitet nga 5 deri 20 MV dhe deri në 24 muaj, për kontratat e ndërtimit të hidrocentraleve me koncesion mbi 20 MV, për marrje leje dhe përgatitje projekti”.
“Të gjitha shoqëritë koncesionare, të cilat, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, nuk e kanë parashikuar afatin e nevojshëm të marrjes së këtyre lejeve në kontratat koncesionare përkatëse, kanë të drejtë ta shtyjnë afatin sipas përcaktimeve të paragrafit të mësipërm, nga data e hyrjes në fuqi të kontratës”, thuhet më tej në vendimin e ri te qeverisë.
Duke shtuar se “shtyrja e afatit të pasqyrohet, për çdo rast, në kontratat shtesë të palëve në koncesion”.
n.e/NOA