Vezhgim/ Gjirokastër: Armët E Muzeut Të Kërcënuara Nga Kushtet Atmosferike
GJIROKASTËR, 15 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Turisti anglez Andre Tosel, 47 vjeç, ekonomist në profesion mbeti i befasuar kur vizitoi Muzeun e Armëve në kalanë e Gjirokastrës. "Muzeumet janë ndërtuar për të mbrojtur vlerat historike, por ky muze nuk plotëson asnjë kusht për t'u mbrojtur nga kushtet atmosferike" tha Tosel, duke shtuar se kjo ndërtesë ngjante më shumë si kazermë ushtrie e braktisur.
Tosel thotë se objektet historike kërkojnë përkujdesje maksimale, në rast të kundërt, vihet në diskutim identiteti i një kombi.
Pushteti vendor administron sot dy muzeume, të armëve dhe etnografik, thotë Teuta Kallajnxhi, drejtore e Muzeumeve pranë Bashkisë. "Për të qenë e sinqertë, gjendja në Muzeun e Armëve është skandaloze, krahasur me vitin 1990", pohon Kallajnxhi.
Ajo nënvizon se shumë objekte të rralla 100 apo 150 vjeçare nuk ekspozohen në muret e muzeut për shkak të lagështirës. "Një përkrenare ilire 3000 vjeçare nuk mund t'i besohet murit, apo të varet me një gozhdë. Kjo është e papranueshme dhe e dënueshme", shton ajo.
"Është e pabesueshme që në magazinën e Muzeut Etnografik qëndrojnë një këmishë hekuri 500 vjeçare që i takon kohës së Skënderbeut, apo pushkë e kobure stralli 250 vjeçare, që nuk ekspozohen. Me figura të ndryshme të gdhendura në to, tregohej dashuria për të bukurën. Nuk mund të kesh në muze një kostum burri pa koburen, apo shpatën në brez, të qëndisur me sermë e të lartë me flori", thotë Kallajnxhi.
Kallajnxhi mendon se tani koha kërkon ndryshim të mënyrës së ekspozimit dhe mbi të gjitha, të përmbajtjes.
"Çdo qytet në UNESCO duhet të ketë një muze kombëtar dhe ne i kemi mundësitë, pasi mbi 300 objekte origjinale që nisin nga epoka e gurit deri në fund të shekulli 18-të ndodhen në Gjirokastër", shprehet Kallajnxhi.
Flamur Bime, kryetar i Bashkisë në Gjirokastër mendon se tashmë është koha që qyteti i gurtë të ekspozojë para vizitorëve, sipas standardeve shkencore të gjitha pasurinë e vet. "Gjirokastra dhe rrethinat kanë të fshehur e të parrëfyer visare të çmuara të identitetit tonë kombëtar, të kulturës e trashëgimisë, të cilat duhet të dalin në dritë të diellit", shprehet Bime.
Bime duke theksuar se muzeumet kërkojnë vëmendje dhe mbështetje institucionale për vetë stadin e ri të zhvillimit të kulturës, turizmit dhe ekonomisë, thotë se "kemi nevojë për fonde konkrete e të prekshme, për të realizuar rikonceptimin e muzeumeve në dobi të zhvillimit turistik të qytetit. Gjirokastra ka një traditë dhe tani duhet ta çojmë përpara me dituri, profesionalizëm, duke u orientuar drejt tregut turistik ndërkombëtar".
"Vizitorët vendas dhe të huaj do të ndiheshin më komod dhe nuk do të zhgënjeheshin nga vizita nëqoftëse Gjirokastra do t'u ofronte muze", më thoshte dikur gazetar gjirokastrit Blerim Kore, duke nënkuptuar zhdukjen e pesë nga shtatë muzeumet që ka pasur dikur ky qytet. Kjo është po kaq e vërtetë edhe katër vjet më pas./ch/