Shkup, 16 Qershor, NOA – Partia udhëheqëse e koalicionit qeveritar në Maqedoni, VMRO-DPMNE, ka festuar dje në sheshin e Shkupit 20-vjetorin e krijimit të saj.
Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë përkatëse, kryetari i kësaj force politike, njëkohësisht edhe kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski, u shpreh se pikërisht falë punës së bërë nga VMRO-DPMNE, janë marrë deri më sot vendimet më të rëndësishme dhe historike për Maqedoninë.
Nga ana tjetër, ai hodhi akuza të ashpra për partinë kundërshtare LSDM, duke e akuzuar për moszgjidhjen e çështjes së emrit, për vite me radhë si dhe rritjen e varfërisë.
Ndërsa në lidhje me qëndrimin e qeverisë së tij lidhur me çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë, ai tha se “VMRO-DPMNE-ja nuk ka ndërmend që interesat e popullit dhe shtetit të vet t'i tregtojë për çfarëdo ose këdo, sado që të jetë ai më i madh dhe më i fuqishëm “Secili që luan në letrën e shantazheve, bllokadave apo kërcënimeve duhet të dijë se e humb kohën”, u shpreh kryeministri Gruevski, referuar palës greke.
n.e/NOA