Prishtinë, 17 qershor, NOA – Partia Drejtësi dhe Unitet në Shqipëri dhe Lëvizja “Vetëvendosje” në Kosovë, e kthyer ditët e fundit në një subjekt politike do të bashkëpunojnë për harmonizimin e çëshjes kombëtare.
Ky është mesazhi që dy drejtuesit, Shpëtim Idrizi dhe Albin Kurti kanë dhënë sot për mediat shqiptare dhe ato kosovar në lidhje me qëllimin e këtij bashëkpunimi.
“Ne duhet të inkurajojmë bashkëpunim më të gjerë nga politikanë nga të dy anët, duhet që të kemi një harmonizim të çështjes kombëtare nga të gjitha forcat politike”, tha Kurti.
Ai falenderoi delegacionin e PDU për vizitën dhe deklaroi se shumë shpejt do ta kthejë këtë vizitë në Tiranë.
Ai tha se nuk ka shqiptarë të Kosovës që të mos dijë tashmë për Çamërinë dhe çështjen çame, dhe kjo sipas tij, fal edhe “punës së palodhur të Partisë Drejtësi dhe Unitet”.
Kurti ka theksuar se “minoritetet kombëtare kanë më shumë të drejta në Kosovë dhe Shqipëri, sesa shqiptarët, kudo që janë. Ne duhet të kërkojmë që të drejtat që gëzon minoriteti serb në Kosovë t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe të drejtat që gëzon minoriteti grek në Shqipëri, t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Greqi”, u shpreh kreu i Vetëvendosjes.
Deputeti Idrizi u ndal në “bashkëpunimin që do të kenë këto forca gjatë së ardhmes, me qëllim primar zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”.
“Unë ndjehem i nderuar që jam i pari që i uroj hyrjen në politikë Albin Kurtit. Sot, ne kemi zyrtarizuar bashkëpunimin që forcat tona do të kenë në të ardhmen për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ne duhet të vendosim theksin mbi integrimin në Bashkimin Evropian, duke ruajtur profilin kombëtar shqiptar”, tha Idrizi.
m.xh/NOA