English

Bare: Nuk ka BE pa zgjedhje të lira

Tiranë, 17 qershor, NOA – Integrimi i vendit në Bashkimin Europian kërkon transparencë në zhvillimin e zgjedhjeve. Ky është qëndrimi që ka mbajtur sot deputeti i PS-së, Besnik Bare në Kuvend, duke akuzuar Kryeministrin Berisha për manipulim të opinionit publik duke pretenduar se janë arritur standardet.

“Në Shqipëri ende nuk është vendosur si duhet ajo që është themelore për një demokraci, zhvillimi i zgjedhjeve të lira, transparente dhe të ndershme. Ky element kondicionon zhvillimin normal të ekonomisë, të kapaciteteve të administratës, të prokurorisë së pavarur, të policisë se pavarur, të shërbimit informativ të pavarur, të niveleve akademike plotësisht të pavarura dhe të mos pushimeve nga puna për shkak të bindjeve politike”, u shpreh Bare.

Sipas tij është kjo politikë që prej 20 vjetësh gjeneron kriza dhe e lë vendin të fundit në rajon.

Në fjalën e tij, Bare ka theksuar se arsyet që e kanë bërë vendin të jetë i fundit në rajon kanë të bëjnë me mungesën e transparencës dhe sjelljen politike të Kryeministrit Sali Berisha.

“Për fat të keq Berisha me tërë instrumentet e tij po përpiqet ta identifikojë integrimin në BE vetëm me vizat, ndërsa standardet janë në plan të dytë. Ai shpreson si zakonisht, sikurse mbyt opinionin shqiptar me patetizëm dhe retorikë të gënjeshtër, t’ja hedhë dhe ndërkombëtarëve. Por në fakt edhe pse gjuha e tyre është diplomatike e kujdesshme nuk kanë munguar dhe akuzat e drejtpërdrejta. Berisha thotë s’kemi krizë, BE dhe SHBA rekomandon të ulen palët për zgjidhje krize”, u shpreh Bare.

m.xh/NOA

KOMENTE