Pogradec, 17 Qershor, NOA – Qyteti i Pogradecit, i cili do të tronditej dy muaj më parë nga lajmi se një bebe e vdekur u gjet në tarracën e spitalit, përcjell një tjetër ngjarje të rëndë, duke patur si motiv sërish një foshnjë të porsalindur të braktisur prej prindërve.
Fjala është për një të tillë që është gjendur në kazanin e plehrave, i cili ndodhet në lagjen 2 të Pogradecit, ndërsa sipas raportimeve që bëjnë forcat policore për agjencinë e Lajmeve NOA, ajo është e seksit femër.
Mësohet gjithashtu se foshnja e porsalindur është gjetur nga dy persona, të cilët e kanë lënë më pas nën kujdesin e personelit mjekësor të maternitetit të këtij qyteti, që po merren me kontrollin e treguesve shëndetësorë të saj.
Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për ta ndjekur këtë çështje kreu veprimet hetimore proceduriale për veprën penale të “Braktisjes së fëmijës së mitur”, parashikuar nga neni 124/1 dhe 2 i Kodit Penal.
Ndërkaq, policia po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale, kurse materialet për këtë rast i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Dy muaj më parë në në spitalin e Pogradecit, është gjendur e vdekur një bebe e braktisur prej prindërve të saj, e seksit mashkull.
Edhe ajo u gjend nga njerëz rastësorë, fatkeqësisht kur e kishte humbur jetën e ndërsa policia u angazhua që të gjente me çdo kusht prindërit që e kishin braktisur krijesën e pafajshme.
n.e/NOA