English

Berisha Apel Ps-Së T'I Rikthehet Traditës Më Të Mirë Të Bashkëpunimit Parlamentar

TIRANË, 17 Qershor/ATSH- Anila Struga/- Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje të enjten Partisë Socialiste që t'i rikthehet traditës më të mirë të bashkëpunimit parlamentar. Nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri u shpreh se "ky parlament ka patur momentet më të rënda në historinë e tij, por ky institucion ka gjithashtu në arkivën dhe traditën e tij dhe vendimet më të rëndësishme mbi bazën e të cilave Shqipëria ka ecur përpara". Kryeministri solli në vëmendje se në bazë të kësaj tradite, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj, mori hapjen e negociatave për statusin e vendit kandidat në BE dhe vendimin e KE për liberalizimin e vizave. Ai garantoi opozitën, që në traditën më të mirë bashkëpunimit parlamentar, zëri i saj do të dëgjohet dhe do të gjejë të gjithë peshën dhe rolin që ka për vendin. "Në asnjë rrethanë të mos harrojmë se motoja e regjimit të vjetër ishte pushteti. Kjo moto nuk mund të ekzistojë në asnjë rast dhe rrethanë. Pushteti është një përpjekje e forcave politike për ta patur atë, por në një vend demokratik, fatmirësisht nuk ka pushtet të përqendruar në një forcë dhe aq më pak në një njeri", tha Kryeministri Berisha. Bashkëpunimi parlamentar, sipas kreut të qeverisë, është tradita e një force demokratike që u beson parimeve të demokracisë dhe pranon mbizotërimin e Kushtetutës në interesin më të mirë të garantimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. "Kjo traditë të çon përpara në procesin e integrimit europian. Ju bëj thirrje juve të bashkoheni në këto procese, sepse nuk është mirë që njëra forcë politike të dalë lokomotivë dhe tjetra të dalë në drejtim të kundërt. Kjo nuk i shërben asnjë force dhe aq më pak vendit. Shqiptarët nuk janë të ndarë dhe nëse ka një gjë që ata sot janë të bashkuar, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë në liberalizimin e vizave dhe në procesin e integrimit europian", tha ai. Ai i bëri thirrje opozitës që të bashkëpunojë për miratimin e ligjit "Për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë" dhe atë të Gjykatës Administrative. "Si mund t'i bindni ju qytetarët se jeni për luftën kundër korrupsionit kur nuk votoni për heqjen e imunitetit të pushtetarëve. Unë ju them se ka korrupsion dhe çdo ditë përballemi me të, por është normale që ju si opozitë të propozoni masat radikale në këtë luftë. Nëse ju jeni kundër arbitraritetit të pushtetit ekzekutiv ndaj bizneseve atëhere votojmë bashkë edhe ligjin e Gjykatës Administrative", tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te çështja e zgjedhjeve, Kryeministri Berisha theksoi se çdo ofertë për zgjidhjen e situatës politike maxhoranca i ka kryer në respekt të opozitës për të përmbushur kërkesat e saj. "Kam bërë çdo ofertë në lidhje me hetimin për zgjedhjet, në respektin tuaj. Që në momentin që bëtë kërkesë në kundërshtim me vendimet e gjykatës, kuptova se qëllim është mos hyrja në zgjedhjet lokale dhe të bëhet çdo gjë për të penguar procesin e integrimit. Po bëhet një vit që në të gjitha sheshet, rrugët, ekranet, valët e vendit keni lakuar fjalën 'kuti'. Ky është shërbimi më i madh që i bëni një qeverie, por unë këtë nuk e dua", u shpreh Kryeministri Berisha. Ai tha se "kërkon një opozitë që qëndron në oponencë në çdo moment ndaj kësaj qeverie sepse ky është interesi i vendit". "Nëse opozita merret me kutitë dhe adapton nihilizmin, kjo vetëm i shërben qeverisë", tha Kryeministri Berisha. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha falenderoi kryetarët e grupeve parlamentare të Parlamentit Europian dhe të gjithë ata që bënë përpjekje të mëdha për të zgjidhur problemin e qëndrimit të PS-së ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit dhe institucioneve të vendit. /m.m/s.s./
KOMENTE