Tiranë, 17 Qershor, NOA – “Nuk ka komb tjetër, që të ketë bërë aq shumë për mbijetesën, sesa kombi shqiptar dhe sigurisht rruga jonë nuk është e nuk do të jetë një bulevard, por është një rrugë e gjerë e me dritë drejt zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane”.
Me të tilla fjalë kryeministri Berisha iu drejtua gjatë një takimi të përbashkët kryetarit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci dhe delegacionin që e shoqëronte.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Berisha vlerësoi para Dacit zhvillimet e fundit në Kosovë dhe arritjet e rëndësishme për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës, ecjen përpara e zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e shoqëror të saj, forcimin e shtetit ligjor, respektimin e plotë të të drejtave të minoriteteve.
“Pavarësia e Kosovës dhe këto zhvillime pozitive, - tha kryeministri, - e kanë shndërruar Kosovën qartësisht në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon.
Nga ana e tij, Daci e falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe i shprehu vlerësimet dhe urimet më të sinqerta për sukseset e mëdha të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare vitet e fundit, duke e cilësuar historike anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, një hap mjaft të rëndësishëm vendimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave, si dhe i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për të gjithë kontributin dhe mbështetjen që kryeministri Berisha i ka dhënë Kosovës në arritjen dhe konsolidimin e pavarësisë dhe në zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës dhe kontributin e vazhdueshëm e të jashtëzakonshëm të kryeministrit Berisha për çështjen kombëtare.
n.e/NOA