English

Botëror-Speciale/ Kupa E Botës "Afrika E Jugut 2010", Miks Numrash Dhe Pasioni

TIRANË, 17 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/- Kampionati i 19-të Botëror i futbollit që nisi një jave më parë në Afrikën e Jugut, me pjesëmarrjen e 32 skuadrave finaliste nga të gjitha konfederatat që marrin pjesë në FIFA, pritet të dhurojë spektakël dhe pasion sportiv deri në mes të korrikut. Por deri tani Botërori ka dhuruar disa fakte dhe rekorde të pakundërshtueshme. 853 ndeshje u zhvilluan gjatë fazës eliminatore në të gjitha konfederatat që aderojnë në FIFA, deri sa prej tyre u përzgjodhën 32 finalistët. 268, ose 31 për qind e ndeshjeve u zhvilluan në Europë. 200 skuadra morën pjesë në fazën parakualifikuese të Kampionatit Botëror "Afrika e Jugut 2010", duke vendosur edhe një rekord. Në fazën eliminatore për "Gjermani 2006" morën pjesë 196 skuadra. Numri më i madh në raportin gola/ndeshje i përket Anglisë me 3.4 gola për ndeshje, ekipi më sulmues i të gjitha skuadrave që morën pjesë në kualifikuese. Numri më të vogël e pati Koreja e Jugut, 1.25 gola/ndeshje. Tetë skuadra nuk pësuan humbje në fazën kualifikuese të botërorit. Tetë skuadrat e mëdha janë Bregu i Fildishtë, Gjermania, Italia, Spanja, Koreja e Jugut, Nigeria dhe Holanda. Ekipi më i vjetër në moshë gjatë eliminatoreve ishte Italia, që kishte moshën mesatare 27 vjeç e 4 muaj. Më i riu në moshë ishte Koreja e Jugut, 22 vjeç e 5 muaj. Kampionia merr 30 milion dollarë, ekipi finalist humbës 24 milionë dollarë. Vendi i tretë po 24 milionë dollarë. Çdo ekip i eliminuar në fazën e parë do të përfitojë nga 5.9 milionë euro. Qeveria e futbollit botëror do të shpërndajë 420 milionë dollarë për 32 ekipet finaliste në Kupën e Botës 2010. Në Kampionatin Botëror të vitit 2006 u shpërndanë në total 261 milionë dollarë. Kompanitë më të mëdha të basteve kanë përzgjedhur Spanjën si favoriten kryesore për të fituar Kampionatin Botëror. Spanja, kampionia në fuqi e Europës, kuotohet me koeficientin 5.25. Brazili, rekordmen i botës, me pesë trofe, është kuotuar (5,5), Anglia (8.0), Argjentina (9.0) dhe Gjermania (11.0). Italia, kampione në fuqi e botës, ka koeficientin 13.0. Brazili, pesë herë kampion i botës, ka rënë në të ashtuquajturin "grupi i vdekjes", pasi përballë në grupin G, do të ketë dy prej ekipeve më të mira në planet, Portugalinë dhe Bregun e Fildishtë. Serbi-Ganë, ndeshja e vlefshme për grupin D, ishte dhe një sfidë intriguese dhe pikante midis dy trajnerëve serbë: 61-vjeçarit Radomir Antiç (Serbi) dhe 56-vjeçarit Milovan Rajevaç (Gana), i cili nuk festoi për fitoren e Ganës ndaj Serbisë. Botërori ofron trajnerë që ndryshe nga kombësia e tyre drejtojnë kombëtare të tjera: 2 suedezë, 2 argjentinas, 2 gjermanë dhe nga 1 italian, serb, francez, holandez, brazilian, kolumbian. Afrikanet, kanë 4 trajnerë të huaj. Vetëm algjeriani Sadane drejton vendin e tij, ndërsa suedezi Lagerbak drejton Nigerinë, suedezi Erikson (Bregu i Fildishtë), braziliani Parreira (Afrika e Jugut), serbi Rajevaç (Gana). Trajneri i Anglisë, Kapelo, 8.8 milionë euro është edhe më i paguari ndër 32 trajnerët e ekipeve finaliste. Lipi (Itali) merr 3 milionë euro dhe Lëv (Gjermani) paguhet 2.5 milionë euro. Në kontinentet e tjera, në Afrikë më i paguari është braziliani Karlos Alberto Parreira (Afrikë e Jugut) me 1.2 milionë euro, ndërsa në dy Amerikat, Aguire (Meksikë) 1.2 milionë euro. Trajneri i Koresë së Veriut, Kim Jong Hun, është ai që paguhet më pak në këtë Botëror: 170 mijë euro në vit, një shifër qesharake po ta krahasosh me 8.8 milionë eurot që merr Kapelo tek Anglia. Argjentinasi Lionel Mesi (Barcelona) me 36.2 milionë euro është më i paguari. Kristiano Ronaldo (Real Madrid, Portugali) fiton 33 milionë euro dhe Kaka (Real Madrid, Brazil), 20.6 milionë euro. Yjet e Spanjës do të përfitojnë secili nga 550 mijë euro në rast se fitojnë Kampionatin Botëror. Kjo është dhe shuma më e lartë e premios nga 32 ekipet finaliste. Spanja konsiderohet favorite. Nëse Italia, kampione e "Gjermani 2006", do të përsërisë suksesin edhe në "Afrika e Jugut 2010", atëherë lojtarët e saj do të marrin nga 240 mijë euro. Për vendin e dytë: nga 130 mijë euro. Argjentina do të paguajë Lionel Mesin me shokë nga 520 mijë euro. Anglia nga ana e saj ofron 470 mijë euro për kokë. Brazili nga 445 mijë euro, ndërsa Gjermania nga 250 mijë euro. Spanja është skuadra më e shtrenjtë që do luan në Botëror: kap vlerën e 565 milionë eurove. Ndiqet nga Brazili me 515 milionë, Franca (450 mln), Anglia (450 mln) dhe Italia (400 mln). Grupi G është më i shtrenjti në Botëror: 1 050 milionë Euro. Në këtë grup ndodhet Brazili, Portugalia, Bregu i Fildishtë dhe Koreja e Veriut. Grupi C është edhe më i varfri: fatura 595 milionë euro. Në Botëror do të marrin pjesë katër futbollistë shqiptarë të natyralizuar në kombësi të tjera: Valon Behrami, Albert Bunjaku dhe Xherdan Shaqiri te Zvicra dhe Sotir Nini te Greqia. Janë dy lojtarë të cilët janë dhëndurët e trajnerëve të skuadrave. Mark van Bomel është dhëndri i teknikut të Holanës, Bert van Marvijk, dhe argjentinasi Serxho Auguerro i Maradonës. Kjo dukuri ndodh vetëm të skuadra e Shteteve të Bashkuara, ku trajner është Bob Bredli, ndërkohë që mesfushor titullar është djali i tij, Majkëlli, i cili luan te Borusia Mënshengladbah. Janë të vetmit në këtë botëror vëllezërit Jaja Ture dhe Kolo Ture, të cilët luajnë për Bregun e Fildishtë. I pari luan për Barcelonën në Spanjë, ndërsa i dyti për Mançester Sitin në Angli. Brazili është i vetmi ekip që ka marrë pjesë në 19 kampionatet e botërore: nga i pari, ai "Uruguai 1930" deri te ky i fundit, "Afrika e Jugut 2010", çka është një tjetër rekord i "Seleçaos". Janë tri skuadrat finaliste, të cilat edhe pse kanë marrë pjesë në një botëror më parë nuk kanë mundur të fitojnë asnjë ndeshje nga tre të mundshmet: Greqia, Sllovenia dhe Zelanda e Re. Kombëtarja e Sllovakisë është e vetmja përfaqësuese debutuese në "Afrika e Jugut 2010". Skuadra e trajneri Vladimir Vajs dhe kapitenit Marek Hamshik merr pjesë për herë të parë një Botëror. Brazili është rekordmeni i botës përsa u përket titujve të fituar: 5 (1958, 1962, 1970, 1994, 2002). Italia ka fituar 4, Gjermania 3, Uruguai 2, Argjentina 2, Anglia 1 dhe Franca 1. Brazili është dhe skuadra që ka shënuar më shumë gola në kampionatet botërore: 201 gola të realizuar në 92 ndeshje, teksa ka pësuar 84 gola. Bilanci: 92 N, 64 F, 14 B, 14 H. Gjermania, 3 herë kampione e botës (1954, 1974, 1990) është edhe vendi më "pjellor" i finalistëve, përsa u përket futbollistëve të licencuar: 6.2 milionë lojtarë, u përkasin 27 mijë klubeve. Ekipi gjerman, ose "Nationalmanschaft", mban rekordin e numrit më të madh të ndeshjeve të zhvilluara në kampiontatet botërore, edhe pse ka 16 pjesëmarrje: 98 ndeshje për Gjermaninë (58F, 20B, 20H). /k.sh/
KOMENTE