English

Çamët paralajmërojnë: Nëse tentohet ndarja e Kosovës, prisni reagim mbarëkombëtar

Prishtinë, 17 qershor, NOA – Opsioni i ndarjes së Kosovës mund të sjellë një reagim të shqiptarëve në të gjitha trevat. Kjo është deklarata që ka bërë Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në vizitën e tij në Prishtinë, ku ka deklaruar se nëse tentohet të ndahet Kosova, do të ketë një reagim mbarëkombëtarë.

“Kohët e fundit kanë nisur të dëgjohen disa zëra, të cilat unë jam i sigurt se nuk kanë ndonjë peshë dhe se nuk do të arrijnë në asnjë përfitim, të cilat flasin për mundësinë e ndarjes së Kosovës.

Nëse këto zëra shtohen, atëherë duhet të kemi një reagim mbarëkombëtar, pavarësisht shtetit dhe origjinës; e gjithë skena politike shqiptare, e gjithë shoqëria civile shqiptare dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi do të reagojnë në formën e duhur”, tha Idrizi.

Deklarata e Idrizit u bë në një takim me nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

Idrizi theksoi nevojën për pasjen e një zëri të përbashkët për çështjet e një rëndësie të madhe kombëtare.

Pikat programore të PDU-së janë të përbashkëta me ato të AAK-së, tha nënkryetari i kësaj partie.

Në mënyrë të veçantë biseduesit ndaluan mbi nevojën e ekzistencës së një Ministrie për Diasporën që të dyja forcat politike e kanë në qendër të vëmendjes. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Jahja Lluka tha se diçka e tillë është propozuar tashmë nga AAK, sikurse edhe nga PDU-ja në Shqipëri.

m.xh/NOA

KOMENTE