Dekretet E Presidentit-Maxhoranca Dhe Opozita Debatojnë Në Sallën E Kuvendit Për Mënyrën E Votimit
- Kuvendi shtyn votimin për ndryshimet e rregullores lidhur me dekretet e Presidentit për anëtarët e rinj në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese -
TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kuvendi shtyu për të enjten e ardhshme votimin për ndryshimet e rregullores lidhur me mënyrën e votimit mbi dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e rinj në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Ndryshimet e propozuara nga mazhoranca konsistojnë në votimin e hapur në Kuvend të dekreteve të Kreut të Shtetit për anëtarët e rinj në institucionet kushtetuese, ndërsa grupi parlamentar i PS-së është pro votimit të fshehtë, siç është aktualisht. Mazhoranca argumentoi se një votim i tillë do të shërbëjë për transaprencën e legjislativit, ndërsa PS e konsideron si tentativë për të eleminuar votën e fshehtë në Kuvend.
Duke theksuar se një votim i hapur do të shërbëjë për transparencën e legjislativit,
Kryeministri Sali Berisha solli në vëmendje faktin se "në të gjitha vendet demokratike dekretet e Presidentit i votojnë hapur".
"Ju keni marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe i keni dhënë komponentë të cilësuar presidencial emërimit të gjykatësve në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta e SHBA-së i njeh tërësisht Presidentit të SHBA-së të drejtën e dekretimit të gjykatësve. Në Kushtetuta të tjera të republikave jopresidenciale ka një ndarje të propozimeve mes parlamentit, presidentit dhe ekzekutivit. Kjo është për të krijuar një balancim", tha Kryeministri Berisha, në seancën e sotme në Kuvend.
Ndërkohë, sipas tij "në Kushtetutën shqiptare i është dhënë Presidentit të Republikës e drejta e propozimit dhe dekretimit të 24 gjyqtarëve të trupës më të lartë gjyqësore të vendit".
"Nuk kam asnjë kundërshtim, por ky model duhet të vendoset i plotë, duke kryer edhe votim të hapur për dekretet e Presidentit", nënvizoi Kryeministri Berisha.
Ai argumentoi se "për emërimin e ministrave kryhet votim i hapur dhe për aq kohë sa Kushtetuta e ka të barazuar me ministrin, gjyqtarin e lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, për zgjedhjen e tyre duhet të bëhet votim i hapur".
"Ju keni vendosur sistem presidencial për gjyqësorin, atëherë i qëndroni prerogativave kushtetuese", tha Kryeministri Berisha duke i'u drejtuar deputetëve të opozitës.
Përkundër kësaj, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha se "në vend që maxhoranca të japë prova që është për pavarësinë e gjykatave, ajo kërkon të heqë votimin e fshehtë dhe ta kthejë atë në votim të hapur".
"Kur keni qenë në opozitë ju keni trumbetuar me të madhe që edhe ministrat të votohen me votim të fshehtë. Në këtë sallë për 50 vjet janë kryer votime të hapura dhe ne ia arritëm kësaj dite që të bëjmë votime të fshehta", tha Ruçi./k.sh/