English

Dita Botërore Kundër Shkretërizimit Të Tokës-Apel Për Marrjen E Masave Për Parandalimin E Këtij Fenomeni

TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Dita Botërore kundër Shkretërizimit të Tokës, 17 qershori, është një ditë apeli për marrjen e masave nga qeveritë për parandalimin e këtij fenomeni, që përbën një çështje të mprehtë globale dhe mjedisore. Kjo ditë apelon për sensibilizimin e aktorëve në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar për problemet e shkretërizmit dhe degradimit të tokës dhe për t'i kushtuar vëmendjen e duhur si dhe investimet e duhura këtij fenomeni. Dita Ndërkombëtare kundër Shkretërizimit të Tokës përkon me datën e adaptimit që iu bë në Paris (Francë) në 17 qershor 1994 Konventës së Kombeve të Bashkuara për luftimin ndaj shkretërizimit dhe degradimit të tokës. Vendi ynë aderon në këtë konventë që prej korrikut të vitit 2000. - Të dhëna për erozionin në vend - Degradimi i tokës në përgjithësi dhe erozioni në veçanti, me format dhe mënyrat sesi shfaqet dhe si vepron, përbëjnë një rrezik të madh për planetin. Erozioni shtrihet në hapësirat e tokave bujqësore, të kultivuara apo braktisura, në tokat pyjore e livadhore, shtretërit e lumenjve, përrenjtë dhe tokat përreth tyre, por dhe në vijën bregdetare, etj. Dëmet e shkaktuara prej tij ndjehen jo vetëm në bujqësi, por dhe në fusha të tjera të ekonomisë, sikurse urbanistikë, transport, ndërtim dhe energjetikë. Erozioni në vendin tonë, një ndër faktorët kryesorë të shkretërizimit dhe degradimit të tokës, ka vlera të konsiderueshme, bëhet e ditur nga rezultatet e monitorimeve të erozionit dhe shkarjeve të tokës. Sa i takon erozionit detar, ky fenomen paraqet një situatë realisht emergjente në brigjet detare të vendit, ndaj dhe marrja e masave të menjëhershme, një ndër të cilat dhe pyllëzimi, paraqet domosdoshmëri. Erozioni është kanceri më i egër i tokës. Ngrohja globale, me ndikim në temperaturën e deteve, shkrirjet e mëdha të akujve, shtimet e ujërave në to, etj, por edhe derdhjet e lumenjve dhe faktori njerëzor, janë disa faktorë të këtij fenomeni. Pjesa më e kërcënuar nga erozioni detar është bregu Adriatik. Erozioni bregdetar, sipas specialistëve, shfaqet në rrugë të ndryshme. Më i zakontë është fenomeni që lidhet me lëvizjen e vijës bregdetare ose transagresionin e detit drejt tokës, duke gërryer apo mbuluar sipërfaqe të tokave, sikurse në plazhin e Patokut, në zonën e Gjirit të Lalëzit, etj. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e erozionit, ndër të cilat edhe mbjellja e përvitshme e 1 milion fidanë pemëve, të cilat janë një faktor i rëndësishëm për parandalimin e erozionit dhe shkarjes së tokës, megjithatë mbetet ende pët t'u bërë në këtë drejtim. Gjithashtu, sipas të dhënave, është reduktuar shfrytëzimi i materialeve në pyje, i cili është ulur me 3 herë që nga viti 2005. Për parandalimin e erozionit, është reduktuar gjatësia e shfrytëzuar e lumenjve për materiale inerte, duke mos lejuar shfrytëzimin e zonave të ndjeshme (rreth 50 km), si dhe koha e shfrytëzimit të tyre, e reduktuar në 5 muaj në vit. Me qëllim, uljen e shfrytëzimit të shtretërve të lumenjve për materiale inerte, është nxitur shfrytëzimi i karrierave malore për gurin gëlqeror. Kështu, numri i subjekteve që shfrytëzojnë karrierat malore për gurë gëlqeror, ka arritur aktualisht në 160 nga 70 që ishte më parë. Ndërtimi i pritave malore, në zonat të cilat janë identifikuar se ka erozion, por dhe pranë argjinaturave, janë ndër masat e tjera që janë ndërmarrë në drejtim të parandalimit të erozionit. Për monitorimin e vazhdueshëm të tokës, me qëllim mbajten nën kontroll të parametrave të saj, është vënë në dispozicion fondi prej 1 milionë lekë. Të dhënat tregojnë se "sasia e tokës që humbet çdo vit luhatet në kufijtë 7,6 - 28,8 ton/ ha me një sasi mesatare të llogaritur 16,3 ton/ha". Ndërkohë, specialistët thonë se reshjet në rajonet e zonës mesdhetare qendrore dhe jugore karakterizohen nga një agresivitet erodues shumë më i lartë se në rajonet malore qendrore dhe lindore. Monitorimi i depozitimeve të ngurta gjatë përmbytjeve nga përrenjtë tregon se në përgjithësi depozitimet e ngurta janë evidente pas rënies së shirave të rrëmbyeshme në stinën e verës. Pavarësisht se depozitimet me materiale inerte janë ulur, të dhënat e monitorimeve të cilësisë dhe sasisë së prurjeve të ngurta pezull në rrjetin kullues dhe ujërat e lumenjeve flasin për vlera të larta të erozionit në basenet e lumenjve, veçanërisht në Shkumbin dhe Seman. Krahas sasisë së madhe të tokës së gërryer këto lumenj mbartin me vete dhe sasi të konsiderueshme të azotit mineral që është një element shumë i rëndësishëm i pjellorisë së tokave. /s.s./
KOMENTE