English

Djali i vogël i Bekim Fehmiut, Hedoni: Babai jetoi e vdiq si samuraj, do të prehet në Prizren

Beograd, 17 qershor, NOA - "Ai jetoi si samuraj dhe vdiq si një samuraj!". "Babai im shkoi me stil të madh, ashtu sikurse edhe jetoi. Unë jam i trishtuar, sepse më mungon, por jam njëkohësisht i lumtur për shkak të tij... Kjo ishte dëshira e tij, dhe unë me gjithë zemër e respektoj dhe e mbështes".

Dy ditë pas vetëflijimit të martën pasdite, të Uliksit shqiptar, Bekim Fehmiu, kanë mbërritur edhe deklarimet e para nga djali i tij më i ri, Hedoni, një emër i etimologjisë antike greke, që nënkupton patosin e thellë ndaj kulturës antike greke, që kishte aktori i madh shqiptar, që i dha jetë personazhit të Odisesë, në filmin me të njëjtin emër. Hedon Fehmiu foli sot në një intervistë për gazetën e Beogradit, “Alo!”.

“Dëshira e babait ishte që fshati Lumbardh i Prizrenit, të jetë edhe varri ku të prehet përjetë trupi i tij”, deklaroi Hedon Fehmiu.

“Gjithmonë i thoshte nënës, që kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit, pasi e donte shumë atë qytet, ishte shtëpia e tij të dytë. Është shpërngulur aty nga vendlindja e tij, Sarajeva”, shtoi më tej për gazetën beogradase, i biri i Bekim Fehmiut.

“Pasi të përfundojë kremimi i trupit, ne do të shkojmë atje për ta përcjellë në banesën e përjetshme, pasi kjo është dëshira e familjes sime”, theksoi Hedoni.

I mallëngjyer, Hedoni, u shpreh se vetëflijimin i ati i tij, në moshën 74 vjeçare, e kreu në heshtje, duke i lënë bijve të tij dhe nënës së tyre, Branka, një letër lamtumire, ku për të fundit herë iu tha përmes shkrimit të tij, se i do fort, por i luti që ta kuptojnë.....

Në një moment të tillë dhimbjeje për familjen Fehmiu, Hedoni, djali më i ri i Bekimit, rrëfen kujtimet e fundit me të atin.

“Babai gjithmonë thoshte, se nëse nuk është vital, energjik me trup dhe shpirt, nuk dëshironte të jetonte, e nëse diçka e tillë do të ndodhte do t’i shtie vetes me një plumb në ballë! Por, ne nuk e morëm kurrë seriozisht, pasi ai ishte tepër romantik, por gjithnjë i vendosur”, tregoi Hedon Fehmiu.

Rishtas ai vijon rrëfimin e tij duke thënë se “Vitin e shkuar, babai, humbi dy motrat, për të cilat u shqetësua shumë, pasi i pa si të thuash, të vyshken sikur bimët”, tregon Hedoni, “të vetëdijshme se jeta, që kishin dashur të jetonin kishte shkuar, dhe babai s’mundi dot t’i ndihmojë”.

“Deri para katër muajsh, nuk kishte njeri më vital se ai. Kur vija nga rruga, m’i merrte çantat e mia dhe po vetë i bartte deri në katin e nëntë”, kujton Hedoni.

“Ishte i kënaqur, por pastaj pësoi një goditje në tru dhe çdo gjë ndryshoi. Ai ishte i pafuqishëm, u plak thuajse brenda natës. Lëvizte me ngathtësi, fliste me pak zë, nuk ishte më i njëjti njeri, dhe këtë e ndjente, fort thellë, pasi nuk e dëshironte kurrë një fund të tillë...”, rrëfen i biri i Bekim Fehmiu, Hedoni.

Për momentin e rëndë kur gjetën bashkë me të ëmën, trupin e të atit të vdekur mbi shtrat, Hedoni rrëfen me këto fjalë: “Për atë shok, trishtim, dhimbje e deri te vetëdija se kishte kërkuar ashtu t’i jepte fund jetës, dhe se për këtë shkak nuk duhet të vuajmë, mund të flas për një vit, të tregoj gjithçka mbaj mend, se ka kaq shumë...Ai ishte një njeri i rrallë”, nënvizon i biri i Fehmiut.

Sipas Hedonit, i vëllai i tij Uliksi ishte në Amerikë, kur u mor vesh lajmi tragjik i vdekjes së babait të tyre. “Ai ishte në shok më të madh! Nuk ishte pranë tij dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte”, tregon Hedoni, i cili sikundër thotë, kishte dalë në aeroport për të pritur të vëllanë.

Aktori i madh Bekim Fehmiu, pikërisht në 1 qershor, kishte festuar ditëlindjen e tij të 74-t, dhe Hedoni e sjell ndërmend si një ditëlindje të qetë, por pas saj, ai tha se i ati mezi lëvizte, i mungonin plotësisht fuqitë, ndoshta ishin momentet e fundit që ai po falte vetes, momentet e ndarjes përfundimisht nga jeta dhe të dashurit e tij.

mit/NOA
KOMENTE