Durrës, Mot I Mirë Dhe Det I Qetë
DURRËS, 17 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Në rajonin detar të Durrësit sot do të mbizotërojë moti i qëndrueshëm me temperatura të larta, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit, sipas të cilave kushtet e mira detare do të mundësojnë lundrimin pa probleme të trageteve, anijeve dhe motopeshkatoreve.
Tre tragetet e linjës Bari-Durrës, që kanë lundruar gjatë natës nga porti italian, po ankorohen njëri pas tjetrit në kalatat përkatëse, ndërsa gjatë ditës priten edhe dy tragete të tjerë, përkatësisht nga Ankona dhe Trieste.
Gjatë ditës moti do të jetë i kthjellët dhe era do të fryjë e lehtë nga jugperëndimi, ndërsa temperaturat maksimale mbi 30 gradë pritet të karakterizojnë edhe fundjavën në vazhdim.
Përpunimi i anijeve me mallra dhe kontejnerë do të vijojë normalisht, thanë burimet e kapitenerisë, duke shtuar se që nga fillimi i javës gjuetia e motopeshkatoreve është favorizuar nga deti i qetë dhe era e lehtë. /s.s./