English

Ekon-Banka E Shqiperise, Blen Me Rreth 4 Miliarde Leke Hotel Dajtin

isa nga ekspertet e ekonomisë, janë prononcuar mbi këtë çeshtje- TIRANE, 17 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit të saj miratoi vendimin për blerjen e pronës së paluajtshme shtetërore 'Ish Hotel Dajti' nga Banka e Shqipërisë, me fond limit 4.148.400.000 (katër miliard e njëqind e dyzetetetë milionë e katërqind mijë) lekë. Burime nga BSH-ja bënë të ditur sot se, ky transaksion mbështetet në nevojat e BSH-së, të evidentuara në rritje ndër vite, për zgjerim të ambienteve në të cilat zhvillohet aktiviteti i saj i përditshëm, si dhe në përmbushje të detyrimeve për përafrimin e kushteve të punës me standardet bashkëkohore të bankingut qendror. Këshilli Mbikëqyrës mbështetur në ligj "Për Bankën e Shqipërisë", në të cilat parashikohet e drejta e Bankës së Shqipërisë për të blerë, kur çmohet e nevojshme dhe e përshtatshme prej kësaj të fundit, pasuri të paluajtshme me kushtin e përdorimit për qëllime të sigurimit dhe administrimit të aspektit operacional të saj, vlerësoi të domosdoshme një vendimmarrje të këtij organi në lidhje me zgjerimin e ambienteve të punës, përmes blerjes të pasurisë së paluajtshme "Ish Hotel Dajti" për këtë qëllim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se prona e paluajtshme "Ish Hotel Dajti", ofron sipërfaqe ndërtimore, ambiente rrethuese, vendndodhje dhe vlera historike shumë të njohura dhe së bashku me ndërtesën ekzistuese të selisë qendrore, ofrojnë zgjidhje afatgjatë të nevojave të Bankës së Shqipërisë për ambiente pune dhe një mbështetje të plotë për zhvillimin e veprimtarisë së saj. Lidhur me këtë çeshtje dite më parë ka reaguar dhe Partia Socialiste e cila e konsideroi blerjen nga Banka e Shqipërisë të Hotel "Dajtit" një "operacion spekulativ dhe të pajustifikuar, në shpërdorim të parave të BSH-së". Në një prononcim për mediat, deputeti i PS-së, Erion Braçe, tha se "akti i fundit i qeverisë dhe i Bankës së Shqipërisë, me pasurinë publike në një proces privatizimi apo shitje, dëshmon gjithmonë e më qartë se arka e shtetit vazhdon të jetë gjithnjë e më tepër bosh". Ndërsa analisti i njohur Artan Hoxha në një intervistë për ATSH-në, vlerësoi pozitiv hapat e qeverisë shqiptare për shitjen e Hotel Dajtit, por edhe nxjerrjen e eurobondit ne tregun financiar nderkombëtar. "Banka e Shqiperise kishte nevoje për mjedise shtesë zyrash, qeveria kishte nevojë për para, ndaj transaksioni i shitjes së ish Hotel Dajtit kënaq nevojat e dy palëve ,që në këtë rast janë edhe institucione publike dhe godinë apo për më tepër paratë do t'i përdorin për qëllime publike. Me këtë transaksion besoj se do të rikonstruktohet edhe kjo godinë historike e Tiranës, që ka mbetur deri tani një gërmadhë në mes të Kryeqytetit"-tha ai. Për ish Guvernatori Shkelqim Cani blerja e Hotel "Dajtit" nga ana e Bankës së Shqipërisë shpjegon se qeveria është në emergjencë për të gjetur burime të reja parash, "pasi të ardhurat aktuale nuk garantojnë as rritjen e pagave."Sipas Canit, institucioni monetar ka shkelur rregulloren e prokurimeve, ku kërkohet nxitja e konkurrencës dhe përfitimi maksimal nga çdo tender. Ai tha se "për te gjitha këto pyetje qe vijnë pas një transaksioni të tillë Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim." "Shqipëria do të mund të garantojë qëndrueshmëri ekonomike nëse përballon me sukses sfidën e tërheqjes së kapitalit dhe investimeve të huaja", thotë Cani. Ndërsa Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi për ATSH-në, se "shitja me negociata e "Hotel Dajtit" për llogari të Bankës së Shqipërisë, është plotësisht ligjore dhe nuk përbën asnjë problem administrativ". Duke u ndalur në akuzat e opozitës për mungesë të transparencës publike në proçedurën e ndjekur për privatizim apo koston tre fish më të lartë se ankandet e mëparshme, ministri Prifti shprehu "çudinë për xhelozinë e opozitës për përpjekjet që bën qeveria për të shtuar burimet financiare në buxhet." Kreu i ekonomisë deklaroi se shitja e Hotel 'Dajtit' nuk ka lidhje me Eurobondin, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për shitjen e këtij Hoteli Bankës së Shqipërisë kundrejt vlerës së 30 milionë eurove për të mbushur buxhetin, në kushtet kur qeveria ka shtyrë emetimin e eurobondit. Gjatë prononcimit të tij për ATSH-në, Prifti deklaroi se këto çështje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, pasi shtyrja e emetimit të eurobondit të parë shqiptar, ka ndodhur për shkak të rritjes së normës së interesit në tregjet financiare ndërkombëtare. Ai vlerësoi se shtyrja e proçesit është normale. Për këshilltaren e kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli, vendimi i Këshillit të Ministrave për shitjen e Hotel "Dajtit', Bankës Qendrore "është një hap i mençur që krijon mundësinë e arkëtimit të një shume të konsiderueshme në buxhet". "Shitja e hotel "Dajtit është një ndër hapat më të mençur të bërë në këto momente nga qeveria. Hotel "Dajti" edhe sikur t'i jepej sektorit privat, nga shitja e tij nuk do të garantohej kurrë kjo lloj hyrje në buxhet. Ky është një transaksion, një kalim që i bëhet një aseti shtetëror Bankës Shtetërore shqiptare dhe në këtë mënyrë buxheti i shtetit krijon mundësinë e arkëtimit të një shume të konsiderueshme", tha Guxholli. Sipas saj, "kjo nuk vjen nga që buxheti i shtetit është bosh, pasi shifrat tregojnë që të ardhurat në buxhet në këtë tremujor, në krahasim me atë vitit të kaluar, janë rritur me rreth 28%, ndërsa eksportet janë dyfishuar". Guxholli tha se "ekonomia shqiptare vazhdon të cilësohet një ekonomi e suksesshme, jo vetëm nga FMN, por dhe nga kompani që bëjnë klasifikimin e fuqisë dhe mundësisë borxhmarrëse të shtetit shqiptar". Hotel "Dajti" i ndërtuar në vitin 1943 ka arkitekturë italiane të stilit roman. Edhe pse jo një ndërtesë e lartë, "Dajti" ka një shtrirje të gjerë në një truall me sipërfaqe 8 mijë e 760 metra katrorë. Pas blerjes nga Banka e Shqipërisë, godina e ish-hotel "Dajti" parashikohet të shërbejë si zyra per institucionin qëndror financiar të vendit. Ndërkohë aktiviteti i Bankës së Shqipërisë do të zhvendoset përkohësisht nga sheshi "Skëndërbej", sepse godina qëndore e saj do t'i nënshtrohet restaurimit të kryer nga një studio arkitekturore italiane. Hotel "Dajti" i ndërtuar në vitin 1943 ka arkitekturë italiane të stilit roman. Pas blerjes nga Banka e Shqipërisë, godina e ish-hotel "Dajti" parashikohet të shërbejë si zyra per institucionin qëndror financiar të vendit./a.gj/
KOMENTE