Elbasan: Usaid Kompjuterizon Sistemin E Taksave Në Elbasan Dhe Gramsh
ELBASAN, 17 Qershor /ATSH-Miranda Sadiku/ - Qytetet e Elbasanit dhe Gramshit do të kenë një sistem të kompjuterizuar për tatim-taksat vendore, pasi USAID dhe LPGA kanë investuar dhe ndihmuar për vendosjen e tyre përmes një projekti të veçantë.
Kryetarët e Bashkive të Elbasanit dhe Gramshit, Qazim Sejdini dhe Kastriot Zëra dhe oficeri i USAID, Stephan Herably përuruan të enjten sistemin e ri të kompjuterizuar të taksave vendore në dy qytetet. .
Sipas kreut të bashkisë Qazim Sejdini, "programi i informatizuar i taskave lokale krijon mundësinë e rritjes së të ardhurave me 12 përqind dhe ul informalitetin".
Mbështetja e USAID për gjithë këtë projekt për kompjuterizimin e sistemit të taksave arrin shumën e 370 milion lekëve. Nga kjo, bashkia Elbasan arrin shumën 1.9 milion lekë dhe bashkia e Gramshit mbi 2.5 milion lekë. Me anë të sistemit të ri pritet të pakësohen ndërveprimet personale me punonjësit e tatimeve që shpesh konsiderohen si burim i praktikave korruptive.
Projekti nga USAID dhe LGPA mundëson një administrim më të efekshëm dhe efikas të vjeljes së taksave dhe ofrimit të shërbimeve, që do të rezultojnë në të ardhura më të mëdha nga taksat për bashkitë dhe në shërbime më të mira për qytetarët. Deri tani ky projekt ka realizuar dhe pururuar në 8 bashki sistemet e reja të kompjuterizuara të taksave vendore që përfshijnë bashkitë e Lezhës, Fierit,Fushë-Krujës, Korcës, Pogradecit, Shkodrës, Elbasanit dhe Gramshit./ch/