English

Gara për LSI në Tiranë, Rrokaj prezanton kandidaturën

Tiranë, 17 qershor, NOA - Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Shezai Rrokaj ka prezantuar sot kandidaturën për drejtimin e degës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë.

Në një konferencë për mediat, Rrokaj ka theksuar se zgjedh të marrë pjesë në këtë garë duke synuar një riorganizim të LSI-së për të përmbushur objektivat e zgjedhjeve vendore, të cilat do të mbahen gjatë vitit që vjen.

“Qëllimi ynë do të jetë riorganizimi i partisë në Tiranë, bërja e zgjedhjeve në të gjitha njësitë dhe pastaj përcaktimi i detyrave në përputhje me kryesinë dhe me gjithë lidershipin e partisë për të dalë fitues në zgjedhjet vendore”, tha ai.

Rrokaj u shpreh se do të synonte që në LSI-në e Tiranës të kishte një pjesëmarrje më të madhe intelektualësh dhe të rinjsh duke dëshmuar dhe hapjen e partisë ndaj shoqërisë civile.

“Projekti im, është një projekt intelektual që synon Tiranën, si kryeqytet, por natyrisht sidomos punën që do të bëjnë me burimet njerëzore, siç është hapja e partisë, rritja e saj me prurje të reja, por sidomos hapjen e partisë nda intelektualëve dhe kjo ka qenë edhe një shtysat e mia për këtë gjë”, tha Rrokaj.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili bëri dhe prezantimin e kandidaturës së Rrokajt vlerësoi profilin e tij intelektual.

Tre ditë më parë për drejtimin e degës së LSI-së në Tiranë shpalli kandidaturën dhe anëtari i kryesisë së LSI-së, Edmond Panariti.

m.xh/NOA

KOMENTE