English

Horror në Greqi, kufoma fshihet poshtë dushit, kërkohet një shqiptare

Athinë, 17 Qershor 2010 NOA – Ngjarje horror në Greqi, trupi i një biznesmeni është groposur në shtëpinë e një shtetasi grek dhe mbi të është montuar një dush banjoje, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Zbulimi është bërë sot dhe trupi është nxjerrë nga dherat siç shihni dhe në këtë foto. Policia greke tha se po kërkon një grua shqiptare e cila ka jetuar me qera pikërisht në kohën që është bërë groposja e mashkullit grek 40 vjeçar, rreth një vit më parë. Bëhet fjalë për Tasos Cagaropulos nga ishulli grek Xakintho, u zhduk më 23 maj 2009 në rrethana misterioze nga lokaliteti Vula. Që nga ajo ditë nuk reshtën kërkimet derisa sot u gjet trupi i tij i groposur.

Zbulimi

Kishte rreth një vit që policia e Athinës ishte vënë në kërkim të Tasos Cagaropulos një biznesmen 40 vjeçar, shtetas grek, i cili ishte shpallur i zhdukur dhe asgjë nuk dihej për fatin e tij.

Hetimet e policisë vazhduan pa ndërprerje dhe i çuan sot pikërisht në shtëpinë përdhese që ndodhet në Dhiakofto të rajonit Patra. Atje, pas informacioneve të mbërritura u bë e mundur që pas prishjes së dushit të banjos dhe hapjes së betonit, rreth një metër nën tokë të gjendej trupi i groposur i 43-vjeçarit të shpallur të zhdukur para një viti në Athinë.

Ishte emisioni “Fos sto tunel” (Dritë në tunel) që nisi zbulimin pasi familja kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e biznesmenit. Ishte pikërisht makina e të zhdukurit, një “Renault” që u gjet e parkuar dhe e braktisur rrotull zonës ku u bë zbulimi. Një grua që po shihte emisionin televiziv tregoi se kishte parë makinën. Kurse një fqinjë dëshmoi për policinë se në banesën ngjitur ishin bërë punime, gjatë periudhës që aty jetoi një emigrante shqiptare e cila paguante rregullisht qeranë.

Kur agjentët e policisë shkuan në bodrumin e shtëpisë që ishte shndërruar në banjo, ata kanë zbuluar të vërtetën tronditëse. Vrasësi apo vrasësit kishin varrosur atje trupin e një njeriu dhe kishin vendosur mbi të një pllakë dushi.

Sipas mjekut ligjor të Patrës, që ekzaminoi kufomën, bëhet e ditur se 40-vjeçari ka qëndruar aty i varrosur aty për rreth një vit. Por kjo periudhë përkon me kohën që ka qëndruar me qera atje, gruaja nga Shqipëria. Policia zbardhi se menjëherë pas kryerjes së “punimeve”, shqiptarja kishte braktisur shtëpinë dhe ishte zhdukur, ndaj tani është shpallur në kërkim.

Por historia bëhet edhe më e frikshme. Pas largimit para pak muajsh të shqiptares, shtëpia iu lëshua me qera një çifti tjetër. Këta jetuan për katër muaj me një kufomë në shtëpi dhe për më tepër bënin dush mbi trupin e groposur.

Natën duke gdhirë dita e sotme, çifti u shokua kur agjentët e policisë hynë në banesë dhe kërkuan të gërmojnë në banjë me rezultat gjetjen e kufomës së çimentuar.

n.s/NOA

KOMENTE