Itali-Shqipëri, Thellim Bashkëpunimit Dypalësh Në Fushën E Mjedisit
TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Italia do të ndihmojë Shqipërinë në planin e menaxhimit të ekosistemit të Liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe të parkut rajonal të Alpeve me Malin e zi dhe Kosovën.
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, mori garancinë nga homologia italiane, Stefania Prestigiacomo, gjatë një takimi në Romë, në kuadër të një vizitë zyrtare dyditore në Itali, bëri të ditur sot Zyra e Shtypit e MMPAU.
Gjatë takimit, u diskutua rreth projekteve të përbashkëta mes dy vendeve në fushën e mjedisit. Ndërsa u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer i deritanishëm mes dy vendeve, palët shprehën vullnetin për thellimin e mëtejshëm me ndërmarrjen e hapave konkretë në cështjet mjedisore.
Në takim u diskutuan projektet e bashkëpunimit mes agjensive mjedisore të të dy vendeve dhe mundësinë e binjakëzimit të tyre në të ardhmen. Vëmendje të vecantë dy ministrat i kushtuan investimeve në fushën e energjisë të rinovueshme, apo të mirëmenaxhimit të burimeve ujore.
Ministrja italiane Prestigiacomo pranoi ftesën e homologut Mediu për të qenë e pranishme në një konferencë ndërkombëtare për çështjet e mjedisore në Shqipëri.
Gjatë kësaj vizite, ministri Mediu mori pjesë si i ftuar nderi në një takim të përbashkët me ministres italiane të Ambjentit dhe atij francez, Jean-Louis Borloo me rastin e firmosjes së një memorandumi mirëkuptimi italo-francez për mbrojtjen e zonës detare të përbashkët mes Sardenjes dhe Korsikës, zonë e njohur me emrin "Le Bocche di Bonifacio".
Ministri Mediu shprehu përgëzime për nismën e dy homologëve dhe i falenderoi për ndihmën e çmuar dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në familjen evropiane, ku çështjet e mjedisit janë të një rëndësie parësore.
Gjatë qëndrimit në Itali, ministri Mediu zhvilloi një takim dhe me ish-ministrin italian të Mbrojtjes, Arturo Parisi, të cilit i shprehu falenderimet sa i takon përpjekjeve të vendit mik, Italisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO./n.m/