English

Kirgistan - Kryqi I Kuq Denoncon Përmasat E Mëdha Të Krizës Nga Dhuna Ndëretnike

GJENEVË, 17 qershor /ATSH-AFP/ - Kriza humanitare shkaktuar nga dhuna ndëretnike në jug të Kirgistanit ka arritur përmasa të mëdha, shprehu shqetësimin Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (CICR). "Kriza është në rritje'', theksoi në një komunikatë e deleguara e CICR-it në Kirgistan, Severine Chappaz, e cila ndodhet në Osh, qyteti i dytë në vend dhe një prej vatrave të dhunës ndëretnike që ka përfshirë vendin. "Qetësia relative e 48 orëve të fundit na ka mundësuar të hyjmë në vende të tjera ku më parë nuk mund të depërtoje'', tregon ajo. "Ne zbuluam vetë dhe dëgjuam nga të tjerët që kishte persona të shpërngulur, numri i të cilëve arrinte nga disa qindra në disa mijëra'', shtoi ajo duke dhënë si shembull një kompleks ndërtesash ku Kryqi i Kuq zbuloi 3 000 refugjatë. Sipas Chappaz, për momentin është e pamundur të japësh të dhëna për numrin e saktë të personave të shpërngulur. Nga të dhënat e fundit të komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët (HCR) nga Kirgistani janë shpërngulur rreth 275 000 persona që janë arratisur nga shtëpitë e tyre. OKB-ja mobilizoi forcat për t'u dërguar ndihma këtyre personave dhe avioni i parë me ndihma mbërriti dje nga HCR./ /ec/ a.jor.
KOMENTE