Tiranë, 17 qershor, NOA – Një nga katër kompanitë më të mëdha shtetërore kineze është e interesuar për të hyrë në tregun shqiptar. Bëhët fjalë për kompaninë CNEEC (China National Electric Equipment Corporation), e cila e zhvillon veprimtarinë e saj në 4 fusha, në infrastrukturë, energji, të shërbimeve si furnizimi me ujë dhe tregti për pajisje elektrike.
Zëvendës Presidenti i kompanisë CNEEC Zheng Chengjun zhvilloi sot një takim me Kryeministrin Berisha, ku vlerësoi krijimin e kushteve të përshtatshme për biznes nga ana e qeverisë shqiptare.
“Zhvillimet shumë pozitive të ekonomisë shqiptare të viteve të fundit kanë bërë që Bordi i kompanisë sonë të vendosë të shtrijë projektet e investimit edhe në Shqipëri”, tha Chengjun.
Për këtë qëllim ai shtoi se kompania ka interes në infrastrukturë, ndërtim rrugësh, vepra energjetike si hidrocentrale, me koncesion ose për llogari të qeverisë, si dhe projektet në fushën e menaxhimit të ujërave.
“Në përbërjen e kompanisë sonë, ne kemi inxhinierë me shumë eksperiencë, që kanë punuar në hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe Fierzës, që në vitet ’70, prandaj njohim mirë potencialin e madh hidrik të Shqipërisë”, ka thënë Chengjun .
“Duke bashkuar këtë potencial me reformat e rëndësishme ekonomike që ju keni ndërmarrë e keni bërë Shqipërinë shumë atraktive për investimet tona”, tha ai
Kryeministri Berisha u shpreh se e quante të rëndësishëm faktin që kjo kompani mund të investojë në Shqipëri. Pasi i prezantoi me hollësi situatën ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë, Kryeministri theksoi se fushat e zgjedhura për projekte nga kompania kineze janë edhe fusha prioritare për qeverinë që ai drejton.
“Në infrastrukturë, sikundër edhe në fushën e energjisë do të fillojmë së shpejti projekte koncesionare dhe me garë. Kryeministri Berisha garantoi për mbështetjen e fortë të strukturave të qeverisë, për transparencë në bashkëpunim dhe mbrojtje të investitorëve, që garantojnë ligjet, me të cilat operon biznesi në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
m.xh/NOA