Korçë: Trajnohen Dhe Punësohen 350 Të Papunë
KORÇË, 17 qershor /ATSH-Behar Fejzulla/ - Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Punësimit në Korçë sivjet ka trajnuar dhe punësuar 350 të papunë, shumica në sektorin privat.
Drejtori i kësaj drejtorie, Riza Ashimi thotë se shumica e punëkërkuesve janë punësuar në biznesin privat, që ka hapur edhe 728 vende të lira pune, për të cilat shërbimi i punësimit po bashkëpunon për identifikimin e specialiteteve dhe trainimin e punëkërkuesve.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Punësimit, Korçë po zbaton dhe një program punësimi për 61 studentë që kanë përfunduar studimet e larta në universitetin "Fan Noli" në degët financë, marketing dhe infermjeri.
Këta studentë janë punësuar në spitalin e Korçës, në bashki dhe në biznesin privat për një periudhë kohore tre mujore, me qëllim që të ushtrohen në profesionin e tyre dhe të jenë të gatshëm për punësim me kohë të plotë./ch/