Tiranë, 17 Qershor, NOA - Kryeministri Berisha priti sot në një takim zv/presidentin e kompanisë CNEEC, “China National Electric Equipment Corporation” Zheng Chengjun, një nga kompanitë më të mëdha shtetërore kineze, e cila e zhvillon veprimtarinë e saj në 4 fusha, në infrastrukturë, energji, të shërbimeve si furnizimi me ujë dhe tregti për pajisje elektrike.
“Zhvillimet shumë pozitive të ekonomisë shqiptare të viteve të fundit, - tha Chengjun, -kanë bërë që bordi i kompanisë sonë të vendosë të shtrijë projektet e investimit edhe në Shqipëri. Prandaj kemi ardhur si delegacion, me këtë përfaqësim të lartë, për të prezantuar interesin e kompanisë sonë në infrastrukturë, ndërtim rrugësh, me garë ose koncesion, vepra energjetike si hidrocentrale, me koncesion ose për llogari të qeverisë, si dhe të shohim mundësinë e projekteve në fushën e menaxhimit të ujërave”.
Ai shtoi se “në përbërjen e kompanisë, janë inxhinierë me shumë eksperiencë, që kanë punuar në hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe Fierzës, që në vitet ’70, prandaj e njohin mirë potencialin e madh hidrik të Shqipërisë”. “Duke bashkuar këtë potencial me reformat e rëndësishme ekonomike që ju keni ndërmarrë, - tha Chengjun, - e keni bërë Shqipërinë shumë atraktive për investimet tona”. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, pasi e falënderoi zv/presidentin e CNEEC për vizitën dhe projekt-idetë e kompanisë së tij, u shpreh se e quante të rëndësishëm faktin që kjo kompani mund të investojë në Shqipëri.
Pasi i prezantoi me hollësi situatën ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë, kryeministri theksoi se fushat e zgjedhura për projekte nga kompania kineze janë edhe fusha prioritare për qeverinë që ai drejton.
Kryeministri Berisha garantoi për mbështetjen e fortë të strukturave të qeverisë, për transparencë në bashkëpunim dhe mbrojtje të investitorëve, që garantojnë ligjet, me të cilat operon biznesi në Shqipëri.
n.e/NOA