English

Kosova Pret Udhërrëfyesin Për Liberalizimin E Vizave, Në Fund Të Verës

PRISHTINË, 17 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Kosova pret udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave deri në fund të verës, bëri të ditur zyra e shtypit e qeverisë kosovare duke iu referuar vizitës zyrtare të Kryeministrit Hashim Thaçi në Bruksel, ku sot është takuar me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule. Bëhet e ditur se temë kryesore e këtij takimi ishte thellimi i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për perspektivën evropiane të vendit, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja tregtare me BE-në. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka njohur Komisionerin Fule me angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve kosovare për qeverisje të mirë, efektive dhe transparente, për sundimin e rendit dhe ligjit, për respektimin afirmativ të komuniteteve. "Kosova është në pritje të rekomandimeve të BE-së për pyetësorin për marrëdhëniet tregtare. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", theksoi Kryeministri Thaçi në takim. Ai shtoi se Kosova ka ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët, me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira fqinjësore, si dy shtete të pavarura, edhe me Serbinë, në shërbim të bashkëpunimit rajonal. "Me këtë rast, përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë falënderuar Kryeministrin Thaçi për suksesin e arritur nga Qeveria e Kosovës në përmbushjen e kritereve teknike në funksion të pranimit të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ata kanë siguruar që deri në fund të verës, pritet që Kosova të marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave", theksohet në komunikatën e zyrës së shtypit të Qeverisë së Kosovës. Në takim me komisionerin e BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, Kryeministri Thaçi u angazhua për thellimin e bashkëpunimit të mirë me EULEX-in dhe Komisionin Europian, sidomos në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në forcimin e sundimit të ligjit. /s.s./
KOMENTE