Kriza - Greqi - Tjetër Grevë E Përgjithshme Më 29 Qershor
ATHINË, 17 qershor /ATSH-ANSA/ - Sindikata e sektorit publik Adedy dhe ajo e sektorit privat Gsee kanë shpallur një grevë të re të përgjithshme në datë 29 qershor, kundër reformës së pensioneve. Dhe kjo do të jetë e pesta grevë që prej fillimit të krizës.
Sindikata komuniste Pame, që sot manifestoi në qendër të Athinës, kishte shpallur më parë një grevë më 23 qershor.
Greva e re shpallet ndërsa misioni BE-FMN, që përfundoi një vizitë kontrolli në Athinë, garantoi se zbatimi i planit të kursimit dhe projektreforma e pensioneve "janë në linjë me memorandumin".
Reforma që ekzekutivi socialist duhet të prezantojë në parlament brenda muajit, veçanërisht parashikon një ngrirje të pensioneve dhe rritjen e moshës për daljen në pension, si për meshkujt po ashtu edhe për femrat, në moshën 65 vjeçare dhe kontributet duhet të jenë kryer të paktën për 40 vjet. Këto rregulla duhet të hyjnë në fuqi duke nisur nga viti 2015.
Ka shumë mundësi që pas shpalljes së grevës së përgjithshme të Gsee-së dhe Adedyt, edhe sindikata komuniste Pame ta ricaktojë grevën e saj në të njëjtën ditë.
/e.v/