English

Kukës: Mbrojtja E Pyjeve Nga Zjarri, Detyrë E Gjithë Komunitetit

KUKËS, 17 Qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Mbrojtja e pyjeve nga rreziku i zjarreve në këtë periudhë kur temperaturat janë mjaft të larta është detyrë e gjithë komunitetit, konkludoi Shtabi i Emergjencave Civile të prefekturës së Kukësit, në një takim organizuar të enjten. "Rritja e temperaturave krijon mundësinë e prekjes nga zjarri të pyjeve e kullotave, ndaj angazhimi për kontrollin e situatës duhet të jetë i të gjithëve", tha përgjegjësi i Drejtorisë së Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, i pranishëm në këtë takim, ku ishin prezente dhe përfaqësues të ushtrisë, policisë, ndërmarrjeve të shfrytëzimit pyjor e komunave nga 3 rrethet e qarkut të Kukësit. Sipas tij, kryesore është që fenomeni të parandalohet që në fillim. Në këtë periudhë duhet të angazhohen të gjithë, pavarësisht faktit se pjesa më e madhe e pyjeve kanë kaluar në pronësi të pushtetit vendor. "Detyrat në këtë situatë janë për pushtetin vendor, por edhe për punonjësit e ndërmarrjeve të shërbimit pyjor. Në këtë drejtim, parësore është roli koordinues e bashkërendues i punëve", u shpreh Olli. Ai kërkoi angazhimin maksimal të të gjitha strukturave, duke paralajmëruar se mungesa e fondeve nuk është justifikim. Sipas tij, janë nënshkruar kontrata edhe me shtetet fqinje për të ndërhyrë nga ajri, në raste të zjarreve. Sipas prefektit të qarkut, Elez Maçi, janë ngritur grupet e sinjalizimit e të ndërhyrjes së menjëhershme në rast të rënies së zjarreve, grupe këto me përfaqësues të pushtetit vendor dhe ndërmarrjes së shfrytëzimit të pyjeve. Kryetari i bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka, bëri të ditur se punonjësit e stacionit zjarrfikës janë trajnuar e pajisur më bazë materiale nga stacioni zjarrfikës i Gjakovës. Rreth 50 për qind të sipërfaqes së qarkut të Kukësit e zënë pyjet e kullotat. Deri tani në këtë qark nuk është regjistruar asnjë rast zjarri në këto sipërfaqe./ch/
KOMENTE