English

Kuvendi Miraton Ligjin Për Trajtimin Financiar Të Familjarëve Të Punonjësve Të Rënë Në Krye Të Detyrës

TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Anila Struga/- Kuvendi miratoi sot me 124 vota ligjin për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të organeve ligjzbatuese të rënë në krye ose për shkak të detyrës. Seanca e kaluar vendosi kthimin e këtij ligji për rishqyrtim në komisionet parlementare, nisur nga kërkesa e deputetëve të PS-së për t'u njohur më mirë me përmbajtjen e ligjit, si dhe nga kërkesa e Ministrit të Financave për krijimin e një amendimi me qëllim gjithëpërfshirjen e kategorive që përfitojnë nga ky p/ligj. Amendimi i propozuar përfshin dhe punonjësit e Forcave të Armatosura, të Policisë së Burgjeve, si dhe ata të shërbimeve inteligjente, ndërsa drafti fillestar paraqiste përfitues punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Ligji i propozuar nga Ministria e Financave përcakton mënyrën e trajtimit ekonomik dhe financiar dhe dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të kategorive të sipër përmendura, të cilët kanë rënë në detyrë. Përveç pensionit familjar, të afërmit e personave të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë edhe kredi në bursa të plota arsimore, strehim me përparësi nga Enti Kombëtar i Banesave etj, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara. Përfitimet që jepen në përputhje me këtë ligj vendosen në vlerën 100 % të pagës sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon. Në seancën e sotme plenare kuvendi ratifikoi marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve E.F.T.A. dhe të marrëveshjeve për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihteinshteinit, Republikës së Shqipërisë e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj. Kjo marrëveshje është rezultat i procesit të liberalizimit dhe lehtësimit të tregtisë, që Shqipëria ka ndërmarrë me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla me BE-në, (e parashikuar në MSA), me vendet e Evropës Juglindore dhe me Turqinë. Marrëveshja kryesore mes Shqipërisë dhe shteteve të EFTA-s ( Konfederata e Zvicrës e Lihtenshteinit, Republika e Islandës dhe Mbretëria e Norvegjisë) përfshin tregtinë e mallrave industriale dhe produkteve bujqësore e të peshkimit, si dhe të gjitha masat dhe elementët e tjera që rregullojnë procesin tregtues të tyre. Kostot e marrëveshjes kanë një efekt të papërfillshëm tek buxheti i shtetit, ndërkohë që impaktet e saj sjellin rritje ekonomike, shtim të eksporteve dhe të importeve, nxitjen e investimeve të huaja direkte ndërmjet vendeve palë të marrëveshjes, eliminimin e monopoleve shtetërore etj. Marrëveshje të tilla ligjore janë ndër standartet që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadrin e marrjes së statusit të vendit kandidat, për anëtarësim në BE./a.gj/
KOMENTE